Gjykata Administrative, së shpejti nis funksionimin
Së shpejti pritet të fillojë funksionimi i gjykatës më të re, asaj Administrative. Sipas burimeve, kjo gjykatë do të vendoset në godinën që aktualisht është duke u shfrytëzuar nga gjyqtarët e Krimeve të Rënda. Gjithashtu, po nga të njëjtat burime mësohet se edhe Gjykata e Tiranës shumë shpejt do të ndryshojë specifikën e çështjeve që do të gjykohen, duke u profilizuar vetëm në gjykimin e çështjeve me karakter civil. Në javët në vazhdim, me përurimin e Gjykatës dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në godinën ku kanë punuar për katër vjet do të transferohet seksioni penal i Gjykatës së Tiranës, ndërkohë që njëri kat i godinës do të “zaptohet” nga gjykata më e re, përkatësisht Gjykata Administrative. Kalimi i gjyqtarëve të seksionit penal në ish-Gjykatën e Krimeve të Rënda pranë burgut 313-të, sipas burimeve nga kjo gjykatë, do të ulë shpenzimet për transportin e të pandehurve për në proceset gjyqësore, ndërkohë që disa gjyqtarë të deleguar pranë Krimeve të Rënda do ta kenë edhe më të lehtë pjesëmarrjen në gjykimet, ku janë deleguar si trupa gjykues. Ndërkohë që njëri kat i godinës do të ketë karakter tjetër nga tre katet e mëposhtme, pasi parashikohet të vendosen gjyqtarë që do gjykojnë çështje administrative, ndërsa si kat do të etiketohet si Gjykata Administrative. Transferimet e gjyqtarëve të seksionit penal në godinën ku aktualisht edhe për pak kohë është duke punuar Gjykata e Krimeve të Rënda, do të bëhet në javët në vazhdim. Ashtu si dhe për kolegët e Krimeve të Rënda, edhe për gjyqtarët e seksionit penal të veprave penale të konsideruara jo krime të rënda, do të jetë më e lehtë sjellja në kohë të shkurtër e të pandehurve për pjesëmarrje në gjykim, duke evituar në këtë mënyrë kohën e transportit. Por, lehtësi do kenë edhe vetë të pandehurit, të cilët me sjelljen e gjyqtarëve në godinën pranë burgut do evitojnë qëndrimin e tyre për një kohë të gjatë në qelinë pritëse deri në gjykim.