Vlorë; Zjarr i madh në kodrën e Kuzum Babait
Një zjarr ka rënë mesditën e djeshme në Kodrën e Kuzum Babait, në qendër të Vlorës. Zjarri ka shpërthyer rreth orës 12:30 minuta shumë pranë bulevardit kryesor të qytetit, ndërkohë që flakët e tij rrezikojnë të djegin lokalin me të njëjtin emër që ka dhe kodra, si dhe një numër banesash. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar automjetet dhe efektivat e shërbimit zjarrfikës, të cilët po përpiqen të shuajnë zjarrin dhe të normalizojnë gjendjen. Flakët janë favorizuar dhe nga era dhe temperaturat mbi 32 gradë që zotërojnë zonën bregdetare. Megjithatë, pas një pune për disa orë të forcave të policisë në bashkëpunim me zjarrfikësit u arrit të shuhej. Sipas të dhënave të policisë së qytetit bregdetar, mësohet se mjetet dhe efektivat e shërbimit zjarrfikës, që shkuan me shpejtësi në vendin e ngjarjes, arritën të dominonin flakët, duke i shuar ato plotësisht pas rreth 30 minutash dhe duke parandaluar pasoja të tjera. Sipas policisë, tani gjendja është plotësisht nën kontroll dhe në kodrën e Kuzum Babait është kthyer normaliteti. Ndërsa nga të dhënat e para nga terreni, mësohet se flakët e zjarrit kanë shkrumbuar një sipërfaqe rreth 1 hektar me shkurre. Ndërkohë është bërë e ditur se një tjetër vatër zjarri është shfaqur në një banesë të pabanuar në një lagje të vjetër, pranë qendrës së qytetit.