Alibeaj: Ligji, triumfoi arsyeja
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj në një intervistë dhënë Tv "Alsat", hodhi poshtë idenë e një pakti ndërmjet PD-së dhe PS-së për miratimin e ligjit "Për Prokurorinë" dhe kjo në këmbim të votave për dekretin e Presidentit "Për Kodin Zgjedhor". Sipas tij opozita ndryshoi qëndrim për këto dy nene për shkak të arsyetimit, duke mohuar kështu një pakt mes demokratëve dhe socialistëve. "Nuk do ta konsideroja tërheqje. Është pak fjalë e rëndë në një betejë politike. Është arsyetim dhe unë besoj, ky ligj më tepër se të gjitha risitë e mira, që ka sjellë dhe do të sjellë, jo vetëm për Prokurorinë dhe më gjerë, unë besoj që është triumf i arsyes", tha Alibeaj. Ministri theksoi se raporti i Ministrisë së Drejtësisë për punën e Prokurorisë do të jetë vetëm teknik dhe se ky nen sipas tij, nuk cenon pavarësinë e organit të akuzës. "Duhet të jetë Kuvendi, ai që do të vendosë saktësisht se cilat do të jenë masat reaguese për luftën ndaj krimit dhe mbrojtjen e qytetarëve. Nëse raporti do të jetë negativ nuk është e ministrit të Drejtësisë, raporti nëse është negativ do të jetë pasqyrim besnik i veprimtarisë, kompetencës së Prokurorisë, deklaroi Alibeaj.