E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurorët, kundër 3 pikave të draftit

 

Trazhgim Sokolaj

Shoqata Kombëtare e Prokurorëve apeloi dje që marrëveshjet mes partive politike të mos bëhen në dëm të pavarësisë së institucioneve shtetërore. Trupa e përfaqësuesve të akuzës evidentoi kundërshti mes draftit të ndryshimeve në ligjin e Prokurorisë dhe Kushtetutës, duke paralajmëruar kështu atakimin e mundshëm të projektligjit në rast të miratimit të tij pa ndryshime. Reagimi i Shoqatës ku bëjnë pjesë të gjithë prokurorët e vendit, konfirmoi kundërshtimin e kësaj trupe për tre nene të draftit që Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi për ndryshimet në ligjin për Prokurorinë. Pasi vlerësoi frymën e përgjithshme të draftit, duke e konsideruar atë në tërësi si pozitiv e frytdhënës për organin e akuzës, Shoqata e Prokurorëve kundërshton tri pika të projektligjit, të cilat nëse miratohen nga Parlamenti i bëjnë prokurorët më të pambrojtur dhe më të ekspozuar ndaj presioneve nga faktorë të jashtëm.
Kundërshtimet
Prokurorët thanë dje se imuniteti honorifik që ata kanë pasur në bazë të ligjit aktual, nuk i bën ata të paprekshëm nga hetimi apo ndjekja penale nëse kryejnë krime. "Ky nen është vendosur për të mbrojtur prokurorët gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, nga veprimet arbitrare dhe të paligjshme që mund t'i ndodhin", thuhet në deklaratën e prokurorëve. Me anë të saj ata bëjnë apel që gjatë seancës së diskutimit në Parlament para miratimit të draftit, neni 18 që bën fjalë për heqjen e imunitetit të rishikohet. Neni tjetër i kundërshtuar dje nga prokurorët, është pika 27 e draftit që parashikon të drejtën e ministrit të Drejtësisë për inspektime në Prokurori dhe më pas raportime në Parlament një herë në vit. "Ky nen i draftit rrit aksesin e ekzekutivit për të kontrolluar nëpërmjet ministrit të Drejtësisë punën e prokurorëve, për të raportuar në Parlament rezultatet e këtij kontrolli dhe më e rëndësishmja i jep të drejtën ministrit t'i rekomandojë Prokurorit të Përgjithshëm marrjen e masave disiplinore për prokurorët, deri në shkarkim të tyre nga detyra", thuhet në reagimin e prokurorëve të bërë publik ditën e djeshme. Shoqata e Prokurorëve vijon më tej duke thënë: "Këto dy nene megjithëse të kundërshtuara nga prokurorët, Komisioni i Ligjeve nuk i mori në konsideratë. Për këtë arsye për të qenë të sigurt dhe të qetë në ushtrimin e funksioneve të tyre, prokurorëve duhet t'u garantohet me ligj, të paktën mbrojtja e tyre në ushtrimin e funksioneve. Mendojmë se ky është standard i rëndësishëm për të patur një prokurori të pavarur, objektive, të qëndrueshme e të pacenuar nga njëra anë, por të kontrolluar në zbatimin e ligjit nga ana tjetër".
Kushtetuta
Në vijim të deklaratës, Shoqata e Prokurorëve ka prekur atë që mund të konsiderohet pika e atakueshme e draftit në rast atakimi të tij në Gjykatën Kushtetuese pas miratimit në Parlament. Bëhet fjalë për nenin 17 të draftit që parashikon "një shpërblim të drejtë" për prokurorin në rast se gjykata e çmon të paligjshëm shkarkimin e tij nga detyra. "Ky parashikim i draftit bie ndesh me nenin 44 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e cila i jep të drejtë çdo shtetasi që të rehabilitohet në përputhje me ligjin, nëse është dëmtuar nga një vendim apo veprim i paligjshëm i organeve të shtetit", tha Shoqata e Prokurorëve. Sipas saj, legjislacioni shqiptar duhet të jetë koherent në tërësinë e tij dhe prokurorët nuk duhet të vendosen në një situatë të ndryshme nga ajo e zyrtarëve të tjerë të shtetit, që me ligj kanë të drejtën e kthimit në detyrë në rast shkarkimi të padrejtë.

Prokuroria, LSI: Ligji cenon pavarësinë

LSI e konsideron ligjin e ri të Prokurorisë si cenim të rëndë të pavarësisë së saj. Anëtari të KDK-së juristi Nasip Naço tha dje se: "Në këtë projektligj të propozuar nga Ministria e Drejtësisë edhe pse paraqiten rreth 34 nene, të cilat na "shiten" si reformim të këtij institucioni, në disa prej tyre vërejmë se ato cenojnë rëndë punën dhe pavarësinë e tij". Duke iu referuar nenit 36 të këtij ligji, që ka të bëjë me ndalimin apo arrestimin e një prokurori, Naço tha se: "Shfuqizimi i kësaj dispozite të mësipërme i përball prokurorët me abuzivitetin e mundshëm në rrugë nga shërbimet e policisë, kur ata janë në krye të ushtrimit të funksioneve të tyre kushtetuese a të ndjekjes penale. Shfuqizimi i këtij neni padyshim do të krijojë pasiguri në punën e prokurorëve, kur ata çdo ditë, po përballen me abuzimet e kësaj maxhorance. Sipas tij, me ndryshimin e këtij ligji maxhoranca kërkon, që prokurorët dhe në veçanti Prokurori i Përgjithshëm, të dalë jashtë parimit kushtetues, që Prokuroria nga një institucion i pavarur, të funksionojë duke u kontrolluar nga Qeveria për të mbyllur aferat e saj korruptive.

Kërkesat e prokurorëve
1. Prokurorëve t'u garantohet mbrojtja nga presionet apo sulmet e ndryshme gjatë ushtrimit të detyrës, duke u lënë imunitetin sipas ligjit aktual, i cili nuk i mbron nga ndëshkimi në raste abuzimesh
2. Prokurorëve t'u garantohet pavarësia nga zgjerimi i mundësisë së ekzekutivit për të kontrolluar Prokurorinë përmes inspektimeve të Ministrisë së Drejtësisë, raportimit në Parlament dhe propozimit të masave ndëshkimore deri në shkarkim nga puna 
3. Prokurorët të kenë të garantuar me ligj rikthimin në detyrën që kanë pasur në rast shkarkimi të padrejtë. Një garanci e tillë qëndron edhe në frymën e Kushtetutës që garanton zhdëmtimin e çdo shtetasi në masën e dëmit që i ishte shkaktuar nga vendime të padrejta të shtetit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›