Zjarri shkatërron sërish biznese, digjet magazina
LUSHNJE - Flakët përfshinë mbrëmjen e së premtes një tjetër biznes në Qarkun e Fierit, i cili dyshohet se i ka shkaktuar 200 milionë lekë dëme. Ambientet e një kompanie të mbarështimit të gjedhëve në Lushnjë, në pronësi të Bashkim Maçit, u përfshi nga një zjarr i papritur. Sipas burimeve të policisë, flakët e para u shfaqën në pjesën ku mbahej ushqimi i bagëtive. Fakti që bari dhe kashta ishin të thata ka bërë që zjarri të ndihmohej dhe të shpërndahej në hapësira të tjera të stallës. Burime të brendshme pohojnë se flakët më vonë janë përhapur edhe në një nga magazinat e cila ishte mbushur me lëndë ushqimore dhe drithëra të ndryshëm. Mësohet se zjarri ka qenë tepër i fuqishëm, ndërkohë që ka vazhduar dhe gjatë paradites së djeshme. Sapo ka rënë zjarri kanë qenë banorët e zonës ata që kanë dhënë alarmin ndërkohë që menjëherë kanë mbërritur forcat zjarrfikëse. Krerët e shpëtimit dhe mbrojtjes kundër zjarri kanë kërkuar përforcime nga rrethet Fier, Ballsh, Durrës dhe Kavajë. Sipas tyre ka qenë shumë e vështirë ndërhyrja, për shkak të terrenit të vështirë i cili nuk u lejonte shumë hapësira. Policia po heton për shkaqet e rënies së zjarrit. Një prej tyre dyshohet se është shkëndija elektrike, ndërsa tjetra ajo e vendosjes së qëllimshme të konkurrencës. m.r