Tragjedia, vdesin 4 emigrantë
FUSHE-KRUJE
Katër të rinj, emigrantë në Itali humbën jetën mëngjesin e djeshëm, si pasojë e një aksidenti të rëndë. Ata sapo po ktheheshin nga një udhëtim në Mal të Zi, për në Durrës, kur u përplasën fatalisht me shtyllën e një tabele reklamash. Ngjarja tragjike ndodhi në aksin nacional, që lidh Fushë-Krujën me Vorën, në afërsi të vendit të quajtur “Ahmetaq”.
Viktimat, një prej tyre student në Itali, kishin ardhur në Shqipëri për të kaluar festat e fundvitit, por mbetën pa jetë në një aksident të provokuar nga errësira, lagështira, shpejtësia e madhe dhe mjegulla. Sipas burimeve nga policia pohohet se aksidenti ndodhi rreth orës 05:00 të ditës së djeshme. Emigrantët kishin ardhur në Shqipëri për festa disa ditë më parë, kur ata kishin vendosur për të bërë një udhëtim drejt Malit të Zi. Aty kishin qenë dy ditë më parë në shtetin fqinj dhe pas përfundimit të udhëtimit turistik kishin marrë rrugën e kthimit. Por, rreth orës 05:00, kur u duheshin vetëm pak kilometra për të mbërritur në shtëpitë e tyre në Durrës u regjistrua dhe përgjakja. Makina tip “Renault” me targa të huaja AV 066 YK, ndodhej në afërsi të Urës së Gjolës, në kthesën nga Fushë-Kruja për në Vorë, kur drejtuesi i saj nuk ka mundur të shmangë goditjen. Sipas policisë, në timonin e makinës ndodhej 28-vjeçari Lorenc Pirra, ndërsa udhëtarët e tij ishin Orjent Muça, 25 vjeç, Redi Pina, 19 vjeç dhe Ilir Haxhi, 26 vjeç. Sipas policisë, për shkak të shpejtësisë dhe kthesës së fortë, drejtuesi ka humbur kontrollin e makinës, duke dalë nga rruga. Shpejtësia e saj ka çuar në përplasjen e fortë me një shtyllë të vendosur në anë të rrugës nacionale, e cila shërbente për reklamat e mëdha. Makina është dëmtuar plotësisht, ndërsa nuk dihej fati i udhëtarëve të saj. Udhëtarët e paktë që kaluan në atë orë kanë dalluar mjetin, duke lajmëruar me urgjencë policinë. Forcat e policisë së Fushë-Krujës e të Krujës shkuan në vendin e ngjarjes, ku konstatuan se përmasat e saj ishin tragjike. Personin e parë që kanë mundur të identifikojnë ishte drejtuesit Lorenc Pirra. Ata arritën të nxirrnin të katërt të rinjtë nga makina e shkatërruar, por i vetmi që jepte shenja jete, Orjenti, vdiq gjatë transportimit drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Viktima u dërguan në morgun e spitalit të Krujës. Identifikimi i tyre u bë pasi familjarët e shoferit, që mësuan për fatin tragjik të së birit treguan se personat e tjerë ishin shokët e Lorencit.
Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, familjarët e Pirrës treguan se të katër të rinjtë, të cilët njiheshin prej kohësh me njëri-tjetrin, ishin kthyer nga Italia për të kaluar festat në vendlindje. Të katër viktimat sipas policisë kishin më shumë se tre vjet, që ndodheshin në Itali, njëri prej të cilëve, 26-vjeçari Haxhi kryente studimet atje. Ata kishin dokumente të rregullta për qëndrim në Itali. Sipas policisë, të katër të rinjtë nuk kanë qenë të pirë, por mendohet që shkak i aksidentit ka qenë lodhja e tyre gjatë udhëtimit ose dremitja e shoferit në momentin fatal të daljes nga rruga. Për ekspertët e policisë, lagështira në rrugë dhe pamja e kufizuar kanë qenë favorizues të ngjarjes së rëndë, pasi në kohën e përplasjes vendi ka qenë i mbuluar me mjegull. Të katër viktimat janë tërhequr nga familjarët e tyre në Durrës, të cilët do u japin edhe lamtumirën e fundit. r.n
Viktimat
Lorenc Pirra,
28 vjeç
Orjent Muça,
25 vjeç
Ilir Haxhi,
26 vjeç
Redi Pina,
19 vjeç