E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi: Mund të kërkojmë pjesë në Luginën e Preshevës

 

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka paralajmëruar Beogradin, se nëse nuk heq dorë nga politikat e tij antishqiptare dhe nuk liron ish-luftëtarët e arrestuar së fundmi, atëherë edhe shqiptarët e Preshevës kanë të drejtë të kërkojnë pjesën e tyre të lirisë. “Nëse Serbia vazhdon me politikën e tensioneve të vazhdueshme dhe cenimin e kufijve të Kosovës, nuk do të thotë që edhe shqiptarët s’kanë të drejtë të kërkojnë pjesën e hises së tyre”, ka deklaruar kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ai i bëri thirrje Serbisë, që të mos vazhdojë me sulmimin e tërësisë territoriale të Kosovës dhe keqtrajtimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, sepse edhe Kosova mund t’i kërkojë pjesët e saj që i takojnë, ka thënë sot kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Krasniqi i bëri këto deklarata si reagim ndaj një vale arrestimesh të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, që u ndërmor nga ana e policisë së Serbisë. “Vetë ministri i Brendshëm i Republikës së Serbisë, Ivica Daçiç, doli para publikut të mburrej me arrestimet e përcjella me keqtrajtime dhe plaçkitje të qytetarëve të Kosovës Lindore, shtetas të Serbisë”, tha Krasniqi. Kreu i Kuvendit kosovar ka përdorur termin Kosovë Lindore për Luginën e Preshevës, duke bërë të qartë se Prishtina nuk do të pajtohet me keqtrajtimet e popullatës shqiptare atje dhe në rast se veprimet e tilla serbe vazhdojnë, ai tha se Kosova mund të kërkojë ‘hisen’ e vet në Serbi. “Ju e dini që për Kosovën kufijtë janë të siguruar dhe të garantuar, por nëse dikush vazhdon me politikën e tensioneve të vazhdueshme dhe cenimin e kufijve të Kosovës, nuk do të thotë që edhe shqiptarët s’kanë të drejtë të kërkojnë pjesën e hises së tyre. Këto arrestime dhe prezenca e sforcuar militare serbe në Kosovën Lindore, janë në funksion të frikësimit të popullsisë shqiptare atje, por si në të kaluarën, as sot nuk do ta arrijnë qëllimin”, deklaroi Krasniqi. Ai i ka quajtur veprimet e fundit të Serbisë si politikë antishqiptare dhe si vazhdimësi e politikës së Millosheviçit, që nuk ka arritur të shkëputet nga politikat e terrorit dhe gjenocidit. “Beogradi zyrtar, në vend që të sqarojë gjendjen e rreth dy mijë shqiptarëve të rrëmbyer gjatë luftës në Kosovë dhe t’i dorëzojë mbetjet mortore, në vend që t’i pranojë krimet e forcave serbe dhe t’i ndjekë kriminelët e luftës, të cilët madje si në paradë marshojnë herë pas here drejt Kosovës, në vend që të kërkojë falje dhe të shtrijë dorën e miqësisë me shqiptarët dhe Republikën e Kosovës, ai në stilin e hajnit që thërret ‘kapeni hajnin’ arreston shqiptarët, që të krijojë përshtypjen sikur ata ishin kriminelët dhe jo ushtria serbe”, theksoi Krasniqi. Nga ana tjetër, kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka kërkuar lirimin e qytetarëve të arrestuar dhe u ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që t’i dënojnë veprimet serbe në Luginën e Preshevës.

Prishtina përballë Beogradit
Misioni i OKB-së në Kosovë paralajmëron bisedime të reja teknike Prishtinë-Beograd për pjesën e parë të vitit 2009. UNMIK nuk e ka të qartë, se a do të ndërmjetësojë sërish bisedimet e reja për çështje teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të cilat, sipas paralajmërimeve të zyrtarëve të lartë të UNMIK-ut, do të rifillojnë në fillim të vitit të ardhshëm. Zëdhënësi i UNMIK-ut, tha se bisedimet për çështje teknike Prishtinë-Beograd, do të jenë bisedime direkte të zhvilluara nga ekspertë të së dyja palëve, përfshirë pjesëmarrjen e ekspertëve ndërkombëtarë, pa dhënë detaje mbi to.

Arrestimet sjellin rrezik për sigurinë
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç deklaroi se arrestimet e 10 shqiptarëve në Preshevë tërheqin me vete rrezik të sigurisë, sepse mund të pritet “reagim i caktuar i atyre që janë goditur nga aksioni, dhe të cilët kanë marrë pjesë në krimet e luftës kundër serbëve”. “Ne vepruam sipas urdhrit të Prokurorisë, ashtu siç kemi procesuar një numër serbësh në poste të rëndësishme në polici për shkak të krimeve kundër shqiptarëve”, ka thënë ai. Sipas Daçiçit, çdo përkeqësim i situatës nuk shkon në favor të nevojës, që shqiptarët të jenë pjesë përbërëse e shoqërisë në Serbi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›