Çekia: Ju mbështesim për integrimin në BE
Çekia do të mbështesë Shqipërinë për integrimin e saj në Bashkimin Evropian, gjatë periudhës që ajo do të ketë presidencën e radhës së BE-së. Kjo u bë e ditur dje në Pragë, gjatë një takimi mes presidentit çek Vaslav Klaus dhe homologut të tij shqiptar, Bamir Topi. Presidenti Topi zhvilloi një vizitë të shkurtër në Çeki në ditët e fundit të vitit 2008. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Presidencës "Presidenti Klaus vlerësoi rolin konstruktiv dhe moderues të faktorit shqiptar në rajonin e Ballkanit për paqen, qëndrueshmërinë dhe begatinë e tij afatgjatë duke siguruar Presidentin Topi, se Shqipëria do të gëzojë mbështetjen e plotë të Republikës së Çekisë për anëtarësimin sa më të shpejtë në gjirin e familjes së madhe evropiane, kur ajo të marrë presidencën e radhës së Bashkimit Evropian në janar". Nga ana e tij Presidenti Topi vuri theksin te marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve. Në të njëjtën kohë sipas tij, liberalizimi i vizave do t'i shërbejë lëvizjes së lirë të njerëzve. "Me gjithë rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike të shënuar gjatë kohëve të fundit, përsa i përket bashkëpunimit ekonomik dypalësh ka ende shumë për të bërë, duke pasur parasysh se tradicionalisht Çekia ka qenë një nga partnerët kryesorë ekonomikë dhe tregtarë të Shqipërisë. Liberalizimi i regjimit të vizave do t'i shërbente akoma edhe më tej lëvizjes së lirë të njerëzve dhe shkëmbimit të mallrave", u shpreh Topi. Kreu i shtetit shprehu interesimin e palës shqiptare për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit, energjetikës dhe infrastrukturës dhe nevojën e investimeve çeke në këto fusha. "Presidenti Topi shprehu vlerësimin për mbështetjen dhe angazhimin e Çekisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën e Atlantikut të Veriut, si dhe për gatishmërinë e institucioneve çeke për të ofruar përvojën e tyre në këto drejtime", thuhet më tej në njoftimin për shtyp.