Nis lufta në Gaza, 200 viktima në orët e para të bombardimeve
Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit në Palestinë mori fund zyrtarisht me bombardimet e djeshme në Gaza nga izraelitët. Ata shkatërruan shumë pika ushtarake të Hamasit në Gaza, i cili u kundërpërgjigj me hedhje të raketave në territorin izraelit. Nga sulmi deri tani janë shënuar mbi 205 të vdekur. Izraeli ndërmori sulme ajrore kundër militantëve të Hamasit në rreth 30 lokalitete të Rripit të Gazës. Armata tha se në shënjestër ka qenë “infrastruktura terroriste”. Zëdhënësja e ushtrisë izraelite tha se forcat e armatosura mund ta sulmojnë udhëheqjen e Hamasit, si pjesë e ofensivës së tyre në Rripin e Gazës. Hamasi u përgjigj me të paktën 24 raketa që i shkrepi në jug të Izraelit. Prej ditësh autoritetet izraelite kishin paralajmëruar sulmin e tyre kundër Hamasit në Gaza, ndërkohë që afati i nënshkruar i armëpushimit (gjashtëmujor) ishte pranë fundit. Kjo është konsideruar dita më e përgjakshme e viteve të fundit në Gaza. Ngjarja ka provokuar reagimin e menjëhershëm të liderëve botërorë. Liga arabe ka bërë thirrje për armëpushim dhe ka kërkuar një mbledhje të jashtëzakonshme të këshillit të Sigurimit për të zgjidhur krizën. Kreu i OKB-së, Ban Ki Mun, ka kërkuar të ndalojë dhuna. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së bëri apelin e tij për armëpushim të menjëhershëm. Ai ka shprehur “alarmimin e thellë për dhunën e rëndë dhe gjakderdhjen në Gaza, si dhe për vazhdimin e dhunës në Izrael”. Ndërkohë, kreu i Sigurisë dhe Politikës së Jashtme në BE, Havier Solana ka kërkuar ndërprerjen e zjarrit. Edhe Moska i ka bërë thirrje Izraelit të ndalojë dhunën. “Izraeli të ndërpresë menjëherë operacionin në shkallë të gjerë në Gaza dhe Hamas të ndërpresë hedhjen e raketave në territorin izraelit”, thuhet në apelin e Moskës. Ndërsa Presidenti francez, që mban presidencën e BE-së, Nikolas Sarkozi kërkon ndalimin e dhunës. “Raketat në Izarel dhe bombardimet nga Izraeli në Gaza duket të ndërpriten”, thuhet në deklaratën e Sarkozisë. Sulmi është dënuar edhe nga vendi fqinj Irani. Teherani i ka kërkuar komunitetit ndërkombëtar, që të ndërhyjë “për t’i dhënë fund regjimit sionist si dhe për ta penguar atë të vazhdojë krimet e tij”.