E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj: Marrëveshje ekstradimi mes vendeve të Evropës Juglindore

TIRANE – Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, propozon nënshkrimin e një marrëveshjeje ekstradimi mes të gjitha vendeve të Evropës Juglindore.

Lajmin e pohojnë burime nga ministria, sipas të cilave ministri e bëri këtë propozim në mbledhjen e ministrave të Evropës Juglindore mbi drejtësinë dhe punët e brendshme, e cila u zhvillua dje në Sofje të Bullgarisë. Kjo konferencë u mbajt në kuadër të procesit të bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore, SEECP në praninë e përfaqësuesve të strukturave të BE-së, Eurojust dhe Europol. Konferenca u përqendrua në diskutimin e temave aktuale mbi sfidat me të cilat përballet sot policia e vendeve rajonale dhe Bashkëpunimi Gjyqësor në kuadër të luftës kundër krimit transnacional. Ndërkohë, ekstradimi dhe urdhër-arresti evropian ishte temë kryesore e diskutimeve në këtë takim. “Dëshiroj të theksoj dhe të propozoj në emër të shtetit shqiptar nënshkrimin e një marrëveshjeje të përbashkët mes të gjitha shteteve të Evropës Juglindore, me qëllim përqasjen e procedurave të ekstradimit me ato të draft-vendimit të Këshillit Evropian”, mësohet të ketë pohuar Alibeaj gjatë konferencës. Kjo marrëveshje, sipas tij, pritet të saktësojë ndër të tjera shmangien e kushtit të shtetësisë, si një kusht refuzimi për ekstradimin e shtetasve. Së dyti, me anë të kësaj marrëveshjeje të vendosen afate limit për përfundimin e procesit të ekstradimit, duke evituar zgjatjen në kohë të procesit. Ndërsa së treti, sipas Alibeaj, do të vendoset një format i caktuar i kërkesës për ekstradim. Ndërsa çështjet e tjera mund të jenë pjesë e saj. Më tej, ministri shqiptar i Drejtësisë pohoi se, “mbetemi të hapur edhe për sugjerimet apo propozimet tuaja në lidhje me dhënien e atributeve të vendimmarrjes për ekstradimin, sistemit gjyqësor në referim të standardeve të vendimit të Këshillit të vitit 2002”. Sipas Alibeaj, në rast të mos rënies dakord për një marrëveshje të përbashkët, Shqipëria është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje dypalëshe të tillë me secilin nga shtetet që shprehet i gatshëm të pranojë këto standarde. Në fund ministri Alibeaj pohoi se çmonte rëndësinë e këtij takimi në shkëmbimin e eksperiencës dhe në koordinimin e qëllimeve të përbashkëta të Evropës Juglindore për një zonë të drejtësisë, lirisë dhe sigurisë.       fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›