E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutoi për hakmarrje në Gramsh, ekstradohet nga Italia i dënuari

TIRANE - Ekstradohet nga Italia, Sajmir Xhebexhiu, i akuzuar për vrasje. I akuzuari dyshohet se ekzekutimin e ka kryer në bashkëpunim me Dritan Xhebexhiun në dëm të Durim Hoxhës, në vitin 2005.

Sipas policisë, Sajmir Xhebexhiu, 23 vjeç nga Gramshi, është arrestuar në Milano, pasi është person i kërkuar nga Interpol Tirana për krimin e vrasjes. Ai është shoqëruar nga dy oficerë të zyrës së Interpol Tiranës, të cilët e kanë dorëzuar të kërkuarin tek autoritetet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në aeroportin e Tiranës. Sajmir Xhebexhiu kishte mundur të largohej në mënyrë ilegale nga Itali në vitin 2005 pak kohë pas krimit për të cilin akuzohet. Më 9 gusht të tri viteve më parë, Xhebexhiu ka vrarë me sende të forta duke e goditur në fytyrë, Durim Hoxhën. Krimi është kryer në bashkëpunim me Arjol Xhangollin, i cili është identifikuar nga policia si bashkëautor në vrasje. Sipas hetimeve të policisë dhe Prokurorisë, vrasja dyshohet se është kryer për hakmarrje ndërsa në këtë ngjarje ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër, Arjol Xhangolli. Më tepër se një vit pas ngjarjes, më 13 nëntor të vitit 2006, Gjykata e Gramshit e ka dënuar me 16 vite burg për vrasje me dashje. Pas vendimit të Gjykatës së Gramshit, palët kanë bërë ankim në Apelin e Durrësit. Sipas njoftimit të policisë, aktualisht gjykimi i kësaj çështjeje është në Gjykatën e Apelit në Durrës. Deri në përfundim të shqyrtimit të procesit i arrestuari duhet të qëndrojë në një ambient paraburgimi. Ndaj tij, që prej tri vitesh Gjykata e Gramshit ka nxjerrë një vendim arresti dhe ai është gjykuar në mungesë pasi nuk është kapur nga policia. Më tepër se tetë muaj më parë, Xhebexhiu është identifikuar dhe zbuluar nga policia se ndodhej në Veri të Italisë, ku edhe janë dërguar të dhënat përkatëse. Atje ai është arrestuar nga autoritetet policore italiane dhe deri disa muaj më parë, çështja e ekstradimit të tij është shqyrtuar në gjykatat italiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›