E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vijmë në gjyqin për Remzi Hoxhën”

Dosja e Prokurorisë për zhdukjen e Remzi Hoxhës do të nisë të gjykohet më 16 maj në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Fatos Mahmutaj

Trupi gjykues që do shqyrtojë këtë çështje, ka marrë përgjigjen e fletë-thirrjeve që u dërgoi tre të pandehurve Arben Sifgjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi, ndërsa për të pandehurin e katërt që u hetua në mungesë, Ilir Kumbaro, ende nuk ka një adresë, pasi ai është larguar jashtë shtetit. Tre të akuzuarit mësohet se kanë firmosur përfaqësimin e tyre në gjyq. Pasi u njoh me këtë fakt dhe pasi studioi dosjen, trupi gjykues vendosi të caktonte që seanca e parë gjyqësore të zhvillohet më datë 16 maj. Me këtë datë janë njohur tashmë tre të akuzuarit, të cilët do të kenë mundësi të paraqiten vetë në proces apo të dërgojnë avokatë të pajisur me prokurë të posaçme për t’i përfaqësuar në mungesë. Gjykata pohoi se në bazë të ligjeve në fuqi, meqë të pandehurit nuk kanë masë sigurie, ata duhet të njoftohen zyrtarisht për të pasur dijeni për dosjen në ngarkim të tyre, që pritet të nisë të shqyrtohet në gjykatë. Të pandehurit e çështjes: Arben Sifgjini, ish-drejtori i SHIK për degën e Tiranës, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve; Ilir Kumbaro, ish-drejtor i SHIK-ut në drejtorinë qendrore; Avni Koldashi, ish-shef i bazës së vëzhgimit dhe Budjon Meçe, ish-inspektor, akuzohen për “rrëmbim me pasoja të rënda” dhe rrezikojnë dënim që mund të shkojë deri në burg të përjetshëm nëse gjenden fajtorë. Kumbaro, aktualisht mendohet se gjendet në Angli i larguar që prej vitit 1997, kurse Meçe e Koldashi jetojnë në Tiranë dhe gjenden nën vëzhgimin e policisë, pasi u janë bllokuar pasaportat dhe u është ndaluar largimi jashtë vendit. Ndërkohë burime nga organi i Prokurorisë pohojnë se Kumbaro është kërkuar gjatë hetimeve në Angli nëpërmjet një letër-porosie të dërguar në këtë vend, por përgjigjja e saj është kthyer negative. Një tjetër arsye për njoftimin e të pandehurve para se të fillojë shqyrtimi i dosjes në ngarkim të tyre është bërë nga gjykata, në mënyrë që t’iu jepet kohë për t’u njohur me dosjen në ngarkim të tyre, në mënyrë që t’iu garantohet një mbrojtje ligjore. Ndërsa pak ditë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda pohoi se nuk ka asnjë kërkesë nga organi i akuzës për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj të pandehurve. Sipas Prokurorisë, shqiptaro-maqedonasi Remzi Hoxha u mor peng më 21 tetor 1995, kur po dilte nga punishtja e tij e duralumineve “Albatros”, në rrugën e Frigoriferit, afër stacionit të trenit në Tiranë. Ky është dërguar në bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës, ku është marrë në pyetje në mënyrë të dhunshme. Njëlloj me këtë është vepruar edhe me dy persona të tjerë, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli, të cilët pritet të pyeten si dëshmitarë në gjykatë gjatë procesit. Por ndryshe nga këta, Hoxha nuk arriti t’u mbijetonte torturave të shumta dhe si pasojë mendohet se ka vdekur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›