E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie zjarr në zyrën e laboratorit të Sanatoriumit, vetëm dëme materiale

TIRANE - Një zjarr i fuqishëm ka rënë në mënyrë të papritur mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:20, në ambientet e laboratorit të spitalit të Sëmundjeve të Brendshme në Sanatoriumin e Tiranës.

Flakët mësohet se kanë shkaktuar dëme materiale në pajisjet e spitalit që ndodhet në zonën e Saukut në Tiranë. Të sëmurët nuk kanë pasur rrezik nga flakët, pasi sipas policisë dhe burimeve nga spitali, zjarri ka rënë në një ambient ku nuk ka pasur të sëmurë. Flakët kanë shpërthyer në ambientet e një prej dhomave të laboratorit të spitalit, për shkak të një shkëndije elektrike që dyshohet se është shkaktuar nga një pajisje. Ngjarja sipas burimeve të policisë, ka ndodhur në një prej zyrave të laboratorit, ndërsa zjarri ka dëmtuar një pjesë të mirë të pajisjeve laboratorike që ndodheshin në spital, për shkak se ndërhyrja e zjarrfikësve megjithëse e shpejtë ka kërkuar një kohë prej së paku 10 minutash deri në mbërritjen e tyre në zonën e ngjarjes. Flakët kanë vazhduar për më tepër se 20 minuta, deri sa zjarri është shuar nga disa automjete zjarrfikësish që kishin mbërritur në vendin e ngjarjes. Pas shuarjes së flakëve të ekspertët e zjarrfikëseve si dhe të policisë kanë mësuar se shkak për zjarrin dyshohej të ishte një ngarkesë elektrike në një prej prizave të laboratorit që mbante një pajisje elektrike aty. Dëmet e shkaktuara nga zjarri sipas policisë, ishin më tepër materiale dhe që iu përkisnin analizave që ishin kryer apo do të kryheshin për pacientë të ndryshëm. Burimet nga spitali thanë se, pajisjet e dëmtuara pritet të mos sjellin pasoja në trajtimin e pacientëve që ndodhen duke u kuruar pranë Sanatoriumit në kryeqytet.         d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›