E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis gjyqi për Hasan Onuzin, vrau kunatin për hakmarrje

TIRANE – Gjykata e Tiranës nisi dje të shqyrtonte dosjen penale në ngarkim të Hasan Onuzit, 62-vjeçarit kryeqytetas, i cili akuzohet se gjashtë muaj më

parë ekzekutoi kunatin e vet në shenjë hakmarrjeje për zhdukjen e dy fëmijëve të tij, Albana dhe Jetmir Onuzi. Para trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësi Albert Meça, Onuzi u paraqit i vetëm, ndërsa mungoi edhe prokurori i çështjes, duke u bërë shkak që të mos zhvillohej seanca. Sipas Prokurorisë, 62-vjeçari Hasan Onuzi akuzohet se ka vrarë kunatin e tij, Jeart Doku. Krimi ka ndodhur mesditën e 25 dhjetorit të vitit të kaluar, në kryqëzimin e rrugës së Dibrës me Unazën në Tiranë, kur Onuzi ka qëlluar me pistoletë Dokun, për të cilin dyshonte se i kishte trafikuar e më pas vrarë vajzën. Sipas tij, daja i vajzës, Doku, e kishte dërguar fillimisht mbesën si prostitutë në Itali dhe më pas mendohet se e kishte vrarë. Ndërkohë, sipas pretendimeve të të moshuarit, daja kishte vrarë edhe nipin, pasi ai ishte nisur për të kërkuar motrën. Sipas Prokurorisë, Onuzi ka qëlluar fillimisht nga një distancë disa metra dhe pasi e ka rrëzuar përtokë viktimën, i është afruar dhe e ka qëlluar edhe pesë herë të tjera në kraharor dhe zemër, duke e lënë të vdekur në vend. Pas kësaj ai është nisur drejt komisariatit të policisë, ku është vetëdorëzuar së bashku me armën e krimit.              fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›