E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjeku: Nuk jam përgjegjës për vdekjen e 17-vjeçares

“Një gjë di të them me sinqeritet. Nuk ndjehem përgjegjës për vdekjen e vajzës, por do t’i nënshtrohem hetimit. Jam i hapur ndaj organeve përkatëse.

Zirina Llambro & Jorgjeta Gjançi

Personalisht nuk ndjej në ndërgjegjen time asnjë gafë, asnjë gabim në ndërhyrjen kirurgjikale. Mirëkuptoj reagimet e familjarëve, por edhe unë po pres të gjendet shkaku i hemorragjisë”. Mjeku Xhevahir Hoxhallari hodhi dje poshtë publikisht, të gjitha akuzat si shkaktar i vdekjes së 17-vjeçares Matilda Petriti, që operoi nga bajamet. Ai përshkroi me detaje ecurinë e ngjarjeve, që nga dita e ndërhyrjes së parë e deri në momentet kur adoleshentja dha shpirt. “Ky është rasti i parë, s’më ka ndodhur më parë diçka e tillë. Vajza ka pasur hemorragji kur i hoqi bajamet, gjë që ndodh normalisht. Vajza më pas ka shkuar në shtëpi, ka ngrënë dhe ka pirë sipas këshillave dhe vetëm disa ditë  më pas i është rikthyer sërish hemorragjia”, sqaroi mjeku. Ai shtoi se adoleshentja disa herë kishte përmirësime dhe herë të tjera niste sërish hemorragjia, shkaku i së cilës nuk u gjet. “Kam diskutuar me mjekët, kolegët dhe nuk e kemi gjetur dot shkakun se pse ndodhi hemorragjia”, nënvizoi ai. Sa i përket pretendimit të familjarëve për prerje të një vene gjaku, Hoxhallari theksoi se asgjë e tillë nuk ka ndodhur. “Në operacione të këtij lloji dëmtohen jo një, por shumë enë gjaku. Por ju siguroj se nuk janë dëmtuar enët e gabuara, por ato që dëmtohen në çdo ndërhyrje që ne kryejmë. Pas kësaj ato mbyllen dhe gjithçka vazhdon normalisht. Në rastin e vajzës, ena nuk u mbyll, ajo vazhdoi të zgjerohej, çka solli fundin”, tha mjeku. Gjithaq, ai nuk pranoi kurrsesi mungesën e stafit mjekësor në momentin kur adoleshentja dha shpirt. “Unë e kam ndjekur gjatë gjithë ditës, jam larguar pasdite për disa orë për të pushuar, jam rikthyer dhe kam parë vajzën. Gjendja e saj ishte e stabilizuar dhe jam larguar sërish. Pas 20 minutash, mjeku më ka marrë në telefon dhe më ka lajmëruar që hemorragjia kishte rinisur. U ktheva, lajmëruam edhe mjekë të tjerë dhe kemi manipuluar për ta mbajtur në jetë. Nuk ia dolëm, pasi gjithçka zgjati vetëm disa minuta”, u shpreh Hoxhallari.
Varrimi në Libonik
“Bijë, të solla këtu, unë do të iki dhe ti do të rrish, por dije se në këtë vend të solli doktori”. Fjalët e nënës së 17-vjeçares mbi varrin e së bijës, tregonin ende se përgjegjësinë për fatin tragjik të Matildës, familjarët e saj ia vënë mjekut që e operoi. Rreth orës 11:30 nisi ceremonia mortore në familjen Petriti në Libonik të Korçës, kur nga shtëpia doli arkivoli me trupin e pajetë të adoleshentes. Ajo është përcjellë për në banesën e fundit e veshur me një fustan nusërie, të cilin nuk e veshi dot për së gjalli. Në përcjelljen e Matildës kanë qenë prindërit, Besimi e Neta, i vëllai i vogël Shefkiu, të afërm, shokë të shkollës e banorë të fshatit. Kortezhi lëvizte ngadalë dhe të gjithë shprehnin dhimbje për humbjen e papritur të vajzës, në moshën më të bukur të saj. Ajo që ndodhi, nga të gjithë cilësohet e rëndë dhe tragjike. Shkoi operoi bajamet dhe pas operacionit erdhi e pamëshirshme vdekja. Të afërmit e vajzës, me zë të lartë me vaj e mallkim fajësojnë doktorin Xhevahir Hoxhallari, ndërsa të tjerët duke diskutuar më me qetësi presin përgjigjen e shtetit dhe mjekësisë ligjore. Britmat e vajit të vëllait të Matildës përlotën të gjithë kortezhin e gjatë. “Bir, do të qajmë sa të lodhemi, por ne të dy e biseduam që mbrëmë, vendosëm të qëndrojmë si burra, do ta mbajmë veten”, mundohej ta qetësonte i ati. Ndërsa reshtnin të qarat e Shefkiut 15-vjeçar, zëri drithërues i nënës së tij është më i qartë. “Si ndodhi vdekja e vajzës?”, ishte kjo pyetja që përsëritej nga gjithë njerëzit që shkelën dy ditët e fundit pragun e familjes Petriti në Libonik. Ndërsa nënës dhe babait nuk munden t’i dalin më fjalët nga goja, është xhaxhai i Matildës, i cili historinë e sëmundjes së mbesës e ka treguar me dhjetëra herë dhe e ka të vështirë ta tregojë sërish, por megjithatë përpiqet. “Mjeku na tha të mos shqetësoheshim, por nuk ndodhi kështu. Tashmë nuk jam në gjendje të tregoj me data dhe me orë se kur i ndodhte hemorragjia vajzës, por di të them se në çdo dy-tre apo katër ditë, Matilda do të mbytej nga gjaku që i delte nga goja. Një herë teksa flinte i shpërtheu hemorragjia. Ishte një llahtar ta vështroje. E kishim të pamundur t’i vinim në ndihmë”, thotë Fatosi.

Radovani: Vdekje nga bajamet, rasti i dytë për 32 vjet

Që nga koha kur është hapur shërbimi i ORL–së në vendin tonë, shënohen dy raste vdekjesh për shkak të operacionit në bajame. Këtë bëri me dije shefi i shërbimit të ORL-së, Pjerin Radovani. “Është një rast shumë i rrallë, që prej vitit 1977 kemi pasur edhe një vdekje tjetër. Por në atë rast hemorragjia ishte e menjëhershme. Pas konsultave që ka bërë stafi i mjekëve në QSU, nuk është gjetur shkaku. Ka qenë kjo arsyeja pse kemi kërkuar me insistim që t’i bëhet autopsia vajzës”, tha Radovani. Ai shtoi se nuk ka asnjë mundësi që të jetë prerë ndonjë venë apo arterie e madhe. “Nëse do kishte ndodhur kjo, atëherë hemorragjia do kishte qenë e menjëhershme, jo disa ditë pas ndërhyrjes. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, theksoi shefi i ORL-së. Sipas tij, do të jenë rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore që do të hedhin dritë mbi arsyet e vërteta të hemorragjisë.

Vdiq 16-muajsh në operacion, dy mjekët dërgohen në gjyq

TIRANE - Vdekja e një fëmije 16 muajsh teksa do i nënshtrohej një operacioni, ka dërguar në gjykatë dy mjekë kryeqytetas. Bëhet fjalë për mjekun kirurg dhe tjetri reanimator, të cilët do kryenin ndërhyrjen kirurgjikale tek i mituri. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth dy vjet më parë, kur vdiq i mituri nga Maqellara e Peshkopisë, ndërsa dosja është dërguar për gjykim vetëm në shkurt të këtij, pasi organi i Prokurorisë ka kryer hetime ndaj dy mjekëve, nën akuzën e “mjekimit të pakujdesshëm”. Për shkak të mosparaqitjes së palëve në gjykim, ende nuk është zhvilluar asnjë seancë gjyqësore, ndërsa pritet që ajo e radhës të jetë më 13 maj nën drejtimin e gjyqtarit kryeqytetas Arben Kostandini. Gjatë hetimit ka rezultuar se dy mjekët e QSUT-së, shefi i kirurgjisë raciale, Ramazan Isufi dhe anestezisti Bensar Shuteriqi, do të kryenin ndërhyrjen kirurgjikale të të miturit, por pa arritur ende të nisnin operacionin ai ka ndërruar jetë. Burime nga procesi pohojnë se fëmija do t’i nënshtrohej një operacioni në rrugët e frymëmarrjes. Gjatë hetimit janë kryer tre ekspertiza mjeko-ligjore të dokumentacionit, në bazë të të cilave dosja është dërguar për gjykim. Ndërkohë organi i akuzës nuk përjashton mundësinë që shkak i vdekjes të ketë qenë ndonjë krizë akute që fëmija 16-muajsh të ketë përjetuar në momentin e narkozës. Vetë mjekët e pandehur dhe mbrojtja e tyre, pohojnë se janë pikërisht tre ekspertizat mjeko-ligjore ato që i shkarkojnë nga përgjegjësia për vdekjen e fëmijës. Burime nga procesi pohojnë se në seancën e ardhshme të gjyqit pritet të lexohet kërkesa për gjykim në ngarkim të mjekëve, pasi gjykata ka konfirmuar njoftimin e të gjitha palëve në këtë proces. Pas kësaj pritet të dëgjohen dëshmitë e familjarëve të viktimës, si dhe të shqyrtohen të gjitha provat shkresore që organi i akuzës ka grumbulluar në ngarkim të dy mjekëve të akuzuar.                           fa.ma.

“Kontroll klinikave private”

“Ky rast duhet të shërbejë për të sensibilizuar të gjithë strukturat në ushtrimin e kontrolleve në klinikat private të licencuara”, kështu u shpreh dje kryetari i Urdhrit të Mjekut, Dine Abazaj. Sipas tij, në rast se mjeku Hoxhallari që ka kryer ndërhyrjen është fajtor, ndaj tij do të merret masa e heqjes së licencës së ushtrimit të profesionit. “Ne deri këtu mund të arrijmë. Nëse rezulton se është gabim i tij, atëherë për më tej do të jetë Prokuroria që do të kryejë hetimet dhe do të marrë vendimin”, tha Abazaj. Ai nënvizoi se në shumë prej klinikave private sot punohet pa kushtet e përshtatshme. Kjo duke i shkaktuar pasoja shëndetit të pacientëve.

Prokuroria bllokon klinikën në Pogradec

TIRANE - Prokuroria e Tiranës dhe oficerë të Policisë Gjyqësore bllokuan në mesnatën e djeshme klinikën “Xhevair Hoxhallari” në Pogradec, në të cilën u operua nga bajamet 17-vjeçarja Matilda Petriti, nga Maliqi, që humbi jetën tri ditë më parë. Janë sekuestruar të gjitha kartelat mjekësore, ku janë të shënuara procedurat e ndërhyrjeve kirurgjikale. Sipas Prokurorisë, ndaj pronarit të klinikës private, gjithashtu mjek i ORL-së në QSUT, Xhevahir Hoxhallari është ngritur akuza “mjekim të pakujdesshëm”. Së bashku me të janë marrë nën hetim edhe ekipi prej pesë mjekësh, që ndërhynë së fundmi për të korrigjuar gabimin e kolegut të tyre në kurimin e venës së prerë. Organi i akuzës pohon se po verifikohen të gjitha procedurat që janë ndjekur që nga operacioni i parë në fillim të prillit dhe deri tek i fundit, në spitalin francez në Tiranë. Janë bllokuar kartelat në këtë spital për të zbardhur turnet e mjekëve dhe për të gjetur më pas përse vajza nuk pati ndihmën e bluzave të bardha në momentet e fundit të jetës. Paraprakisht në kartelën e vdekjes së adoleshentes është shënuar se shoku hemorragjik që i dha fund jetës së saj, është shkaktuar nga prerje e mprehtë. f.m.

Ministria politizon ngjarjen, reagon vetëm për PS

Pritej një raport mbi ngjarjen nga Ministria e Shëndetësisë, por debati është kanalizuar në politikë. Pas akuzave ndaj këtij dikasteri për mungesë përgjegjshmërie, nga përfaqësuesi i PS-së, Ilir Beqja, në një deklaratë të stërgjatë janë dhënë kundërpërgjigjet. Por as nga ministria nuk ka asnjë reagim për masat që do të merren ndaj klinikave private që nuk plotësojnë kushtet. E vetmja gjë që ka bërë ky dikaster, është ngritja e një grupi pune. Asnjë urdhër duke marrë shkas nga ngjarja për të parandaluar përsëritjen e saj. “Ministria e Shëndetësisë ka detyrë funksionale e kushtetuese drejtimin e sistemit shëndetësor. Ministria licencon aktivitetin privat në shëndetësi, përgjigjet për kushtet e licencimit dhe në raste tragjike, siç është edhe rasti i fundit, verifikon të gjithë procedurën mjekësore e administrative të ndjekur nga ana e mjekut, për të arritur në një përfundim zyrtar, të motivuar dhe të besueshëm”, bën me dije ky dikaster.

GSHDNJ: Mjeku ka kryer vepër penale”

“Veprimet e kryera gjatë operacionit nga mjeku Hoxhallari duhet t’i nënshtrohen një hetimi të mirëfilltë nga ana e strukturave përkatëse të Luftës Kundër Krimeve të Jetës dhe Shëndetit, pranë Policisë së kryeqytetit”. Ky ka qenë reagimi i Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut. GSHDNJ shpreh dyshimet se pikërisht veprimet e mjekut Hoxhallari, në trajtimin e këtij rasti, duhet  jenë kryer si rezultat i pakujdesisë së tij dhe mosushtrimit të veprimeve të duhura, të cilat kanë sjellë pasojën e rëndë të humbjes së jetës së pacientes. “Rasti në fjalë është shembulli tipik i konsumimit të veprës penale të parashikuar nga neni 97 i K.Penal të RSH, në të cilin parashikohet: Mjekimi i pakujdesshëm i të sëmurëve nga ana e mjekut ose e personelit tjetër mjekësor, si dhe moszbatimi i terapisë ose i porosive të mjekut nga personeli mjekësor apo farmacist, kur ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të shëndetit, ka rrezikuar jetën e personit ose ka shkaktuar vdekjen e tij, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet”, bën me dije GSHDNJ. Sipas OJQ, në rastin konkret  ekzistojnë dyshime objektive dhe të arsyeshme që ngarkojnë me përgjegjësi penale mjekun përkatës, sepse pasoja e rëndë ka ardhur përgjithësisht nga këto veprime të tij. “GSHDNJ në kuadrin e investigimeve lidhur me sistemin shëndetësor në RSH, ka evidentuar kushtet e vështira që mundësojnë këto institucione për të shërbyer ndaj nevojave të qytetarëve. Tashmë mund të cilësohet si fakt real dhe i prekshëm trajtimi i dobët që aplikohet ndaj pacientëve nga ekipet mjekësore, apo edhe mjekë të veçantë, të cilët harrojnë detyrimet e ngarkuara me ligj shprehimisht”, bën me dije kjo OJQ.

Hemorragjia, vajzës nuk iu dha asnjë gram gjak

Ndonëse hemorragjia është përsëritur disa herë, Matilda Petritit nuk iu dha asnjë gram gjak. Ajo ka marrë faktorë gjaku vetëm në spitalin e Korçës disa ditë më parë.

Zirina Llambro

Sipas rezultateve paraprake të Institutit të Mjekësisë Ligjore, mosmpiksja e gjakut ka qenë shkaktari i hemorragjisë. Por burime të sigurta nga stafi i mjekëve të QSU, të cilët nuk duan të bëjnë publik emrat e tyre, pohojnë për gazetën se fundi i dhimbshëm mund të shmangej në rast se 17-vjeçares do t’i ishte bërë transfuzioni në kohë. Ata nënvizojnë se padashje është neglizhuar gjakderdhja. Gjithashtu hije dyshimi hidhen për analizat e kryera përpara operacionit. “Është kusht që përpara çdo ndërhyrjeje të bëhen një sërë analizash. Mjeku pohon se vajza i ka pasur. Deri këtu gjithçka është brenda normalitetit. Por saktësia e tyre mbetet për t’u parë. Kjo, pasi pas vdekjes së adoleshentes mund të fshihen  shumë arsye, të cilat duheshin sqaruar. Sa i përket gjakut, vajza mund të ketë pasur Koagulopatite të ndryshme (sjellin mosmpiksje të gjakut), Hemofili apo ndoshta edhe sëmundje të tjera të paparashikueshme”, sqarojnë burime nga stafi i mjekëve specialistë. Ata theksojnë se secili prej tyre mund të ketë qenë shkaktar i hemorragjisë, por nëse analizat nuk e nxjerrin, atëherë, rrjedhimisht shkohet në një ndërhyrje të gabuar mjekësore. Skeptikë mjekët që nuk duan të bëjnë publike emrat e tyre, janë edhe për arsyet e mungesës së transfuzionit të gjakut gjatë hemorragjisë së fundit.
“Por pikëpyetja që ngrihet është pse nuk u ra dakord që përmes dhënies së gjakut, plazmës, faktorëve të koagulacionit, të ndaleJ gjakderdhja. Nuk dihet pse nuk është marrë një vendim i tillë, kur hemorragjia ishte e përsëritshme”, theksojnë burime nga stafi i mjekëve. Ndërkaq, shkencërisht, kur një pacient që bën operacion bajamet, mund të ketë komplikacione ose kur bëhet një gabim mjekësor, pra ndërhyrja nuk realizohet siç duhet, ose kur arteriet e mëdha në këtë pjesë të organizmit i ka të ndërtuara në mënyrë anatomike të ndryshme nga personat e tjerë, çka përbën problem për shpërthimin e hemorragjisë.
Mjekësia Ligjore
Sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore, do të duhen edhe disa ditë të tjera për të nxjerrë konkluzionin përfundimtar për vdekjen e adoleshentes nga Korça. Por nga ekspertiza paraprake e trupit, rezulton se hemorragjia që çoi në vdekjen e adoleshentes është shkaktuar për shkak të mosmpiksjes së gjakut. Gjithsesi, sipas drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Besim Ymaj,  aktualisht nuk mund të jepen përfundime të plota. “Është shpejt për të thënë nëse bëhet fjalë për një gabim mjekësor apo vdekja ka shkaqe të tjera. Nga trupi i vajzës janë marrë kampione gjaku për analiza më të thelluara”, tha Ymaj. Sipas tij, Mjekësia Ligjore teorikisht njeh raste të humbjes së jetës nga hemorragjia pas operacionit të bajameve. “Një prej enëve të gjakut nuk është mbyllur dhe ka çuar në shtim të hemorragjisë, me pasojë vdekjen. Po analizojmë indet, deri tani mosmpiksja e gjakut është pista kryesore ku po punohet”, nënvizoi kreu i Mjekësisë Ligjore.
Do të jetë pikërisht raporti përfundimtar i ekspertizës nga ekipi i Institutit, vendimtare për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Me nxjerrjen e këtij raporti do të mësohet nëse do të bien poshtë akuzat e ngritura ndaj mjekut që do të kryejë operacionin në bajame. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›