Alibeaj: Opozita kërkon të përfshijë në krizë Presidentin
Me kërkesat e tyre antikushtetuese për hapjen e kutive të votimit, duket se opozita kërkon që të përfshijë në krizën e saj edhe institucionin e Presidencës. Kjo ishte deklarata që bëri dje ish-ministri i Drejtësisë, njëkohësisht deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, duke e quajtur këtë situatë si dramatike. “Unë besoj se në qoftë se do të vazhdojë kështu, atëherë kërkesa e minorancës është thjesht dhe vetëm për të zgjeruar bazën e krizës, për të përfshirë ndoshta në të edhe institucionin e Presidentit. E kuptoni se sa e rëndë dhe dramatike është kjo”, theksoi deputeti i PD-së në një emision në “Alsat”. Sipas tij, opozita përgjatë negociatave me Presidentin Bamir Topi duhet të heqë dorë nga kërkesat e saj antikushtetuese për hapjen e kutive. Deputeti i PD-së, theksoi se këto kërkesa nuk mund të sjellin kompromisin e shumëpritur mes mazhorancës dhe opozitës. Në këtë kuadër, Alibeaj theksoi se suksesi i negociatave që kanë nisur në Presidencë varet nga ndryshimi ose jo i kërkesave të opozitës, duke lënë të kuptohej se mazhoranca është e vendosur në qëndrimin e saj aktual. “Suksesi ose jo i takimeve varet nga fakti se sa kërkesa të arsyeshme, pra të ligjshme dhe kushtetuese, do të vijnë nga ana e minorancës. Në qoftë se vijnë me kërkesa jokushtetuese siç është ajo e hapjes së kutive nuk është qëllimi që përmes një dialogu të arrihet në një pikë përfundimtare të suksesshme të tij”, argumentoi ish-ministri i Drejtësisë. Por sipas Alibeajt, nëse opozita kërkon që të zgjidhë krizën me konstruktivitet, atëherë mazhoranca është e gatshme që të kontribuojë dhe të bashkëpunojë me përfaqësuesit e saj. Në këtë kuadër, deputeti i PD-së theksoi se mazhoranca është e hapur për përmirësime të mëtejshme të kuadrit zgjedhor, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të shënojnë më pak probleme. Nga ana tjetër, burime pranë PD konfirmojnë edhe njëherë se në negociatat në Presidencë, mazhoranca nuk e shikon si opsion hapjen e kutive që kërkojnë prej muajsh socialistët.
#