E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekomandimi i fundit i Dobjanit: Masa ndëshkimore për dy policë

Propozimi

Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i ka rekomanduar drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës që të fillojë hetimin për dy punonjës policie në Tiranës, të cilët mund të akuzohen për “torturë”. Rekomandimi i fundit i Dobjanit bën fjalë për torturimin e shtetasit P.S., i cili aktualisht ndodhet i arrestuar. Sipas ankuesit, në datë 29 dhjetor 2009, rreth orës 20:00, ai ka shkuar për të takuar një shok në lagjen “Tirana e Re”. Sapo ka shkuar në vendin e takimit, janë dëgjuar të shtëna armësh dhe ata nga frika janë larguar me vrap. Gjatë rrugës, është ndaluar nga një punonjës policie, i cili me pistoletë në dorë i ka bërë thirrje që të ndalonte dhe të mos lëvizte nga vendi. Ankuesi i është bindur urdhrit të punonjësit të policisë, ka qëndruar në vend dhe ka ngritur duart lart. Punonjësi i policisë e ka shtrirë në tokë atë dhe e ka lidhur me pranga. Pas këtij momenti aty kanë ardhur rreth 7-8 policë të tjerë. Policët, sipas Dobjanit, pa pasur asnjë shkak ligjor, sepse ankuesi nuk ka bërë rezistencë ndaj tyre dhe nuk i ka kundërshtuar ata, kanë filluar që ta godasin atë në mënyrë barbare me shqelma, me grushte dhe me armë në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit. E kanë marrë zvarrë dhe e kanë hipur në një makinë policie, duke e dërguar në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë. Sërish kanë filluar që ta godasin. Ankuesi ka humbur ndjenjat dhe i ka rënë të fikët. Policët i kanë hedhur ujë dhe pasi u përmend kanë filluar sërish ta godasin. Kjo skenë është përsëritur disa herë. Nga goditjet e policëve atij i janë shkaktuar dhimbje të forta dhe plagë të dukshme në kokë, në fytyrë dhe në pjesë të tjera të trupit. Zyra e Avokatit të Popullit, nga inspektimi i kryer për këtë rast ka konstatuar se ankuesi P.S., është torturuar nga dy punonjësit e policisë Alfons Gjoni dhe Klodian Bala. Për këtë rast i kanë kërkuar Prokurorisë së Tiranës të fillojë një hetim dhe të identifikojë punonjësit e tjerë të policisë që kanë marrë pjesë në shoqërimin dhe dhunimin fizik të ankuesit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›