Alibeaj-Pack: Ja ligjet, që kemi miratuar
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj ka informuar delegacionin e Parlamentit Europian për Marrëdhëniet me vendet e Europës Juglindore, mbi situatën reformuese në sistemin gjyqësor në vend, performancën e arritur në trajtimin e të dënuarve si dhe ecurinë e marrëdhënieve institucionale që Ministria e Drejtësisë ka me institucionet e tjera të pavarura të sistemit të drejtësisë.
Më tej ministri, informoi delegacionin edhe për ndryshimet e reja ligjore të miratuara nga parlamenti shqiptar. Në mënyrë të veçantë ai u ndal tek ndryshimet ligjore në, Ligjin për Prokurorinë, të miratuar nga parlamenti vitin e shkuar pas asistencës dhe mbështetjes me ekspertizë të misioneve EURALIUS dhe OPDAT. Ndryshimet ligjore rrisin garancitë e prokurorisë për pavarësi, paanësi dhe përgjegjshmëri para ligjit në ushtrimin e detyrës, si dhe krijojnë një mekanizëm transparent marrëdhëniesh mes qeverisë dhe prokurorisë, në funksion të zbatimit të ligjit dhe luftës ndaj kriminalitetit, u shpreh Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili përmendi edhe përmirësimin e trajtimit të të burgosurve.