Eurodeputetja Doris Pack, takim me Topin
Presidenti Bamir Topi ka shprehur angazhimin e shtetit shqiptar për përfundimin me sukses të reformës së pronësisë në Shqipëri. Gjatë takimit, që presidenti Topi ka zhvilluar me delegacionin e zgjeruar të Parlamentit Evropian, për marrëdhëniet me vendet e Evropës Juglindore, të kryesuar nga zonja Doris Pak, ka bërë një ekspoze të ecurisë së reformave në vend, ku u ndal te çështja e pronës private dhe legalizimeve në Shqipëri, të cilat i konsideroi si prioritetet për të cilat po punohet shumë.
Ky është një problem i ndërlikuar që kërkon zgjidhje komplekse dhe shteti shqiptar është i vendosur të bëjë të gjitha përpjekjet për përfundimin sa më shpejt dhe me sukses të plotë të kësaj reforme, u shpreh Topi, duke iu përgjigjur interesimit të europarlamentarëve për këtë çështje. Gjatë fjalës së tij, presidenti Topi ka vlerësuar angazhimin dhe përkrahjen e strukturave të rëndësishme të BE për nisjen e aplikimit të Shqipërisë për në BE dhe premisat për liberalizimin e vizave për shqiptarët. Duke u ndalur në zgjedhjet e pritshme parlamentare të qershorit 2009, presidenti theksoi se po bëhen përpjekje të vazhdueshme për pajisjen e popullsisë me karta identiteti brenda afatit, proces që sipas tij do të synojë garantimin e zgjedhjeve të lira, korrekte dhe të pakontestuara. Përsa i përket procesit të përfshirjes së Shqipërisë si vend anëtar me të drejta të plota në NATO, Topi theksoi se Shqipëria ka bërë progres të dukshme. "Kjo do të thotë se Shqipëria ka bërë progres të dukshme, duke shprehur dhe përmbushur në këtë mënyrë aspiratën e saj për integrim në familjen euroatlantike, ky angazhim do ta impenjojë më shumë Shqipërinë për të qenë një partner serioz dhe i besueshëm, duke kontribuar jo vetëm për qëndrueshmërinë në vend, por edhe atë në rajonin e Ballkanit, theksoi presidenti Topi.