E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Realizimi i zgjedhjeve me standarde, prioriteti ynë

Realizimi i zgjedhjeve të lira dhe sipas të gjitha standardeve, është prioriteti i qeverisë shqiptare. Këto janë edhe kushtet kryesore për imazhin sa më të mirë të Shqipërisë në sytë e ndërkombëtareve. Ndaj prioriteti i qeverisë shqiptare në këtë periudhë mbeten zgjedhjet dhe infrastruktura zgjedhore. Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli ka theksuar se regjistri elektronik, kartat e identitetit, pasaportat biometrike, të realizuara për herë të parë në 18 vjet, përbëjnë një bazë të fortë për zgjedhje të standardeve evropiane. Gjatë takimit që ka zhvilluar me delegacionin e deputetëve të Parlamentit Evropian, të kryesuar nga deputetja Doris Pack, të cilët ndodhen në Shqipëri në kuadër të takimit ndërparlamentar të radhës Shqipëri-BE, ajo ka ritheksuar edhe një herë realizimin e zgjedhjeve të lira. "Nuk ka çështje më prioritare për ne, tha kryetarja e Kuvendit, sesa realizimi i zgjedhjeve të lira, të rregullta e me të gjitha standardet dhe ne po e realizojmë këtë, u shpreh kryetarja e parlamentit. Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, gjatë takimit kryetarja e Kuvendit tha se Shqipëria ndodhet në një kohë integrimesh të mëdha. Pas dy javësh në Strasburg Kehl vendi ynë do të anëtarësohet në NATO, krah vendeve më të fuqishme të botës, një ngjarje e jashtëzakonshme dhe me një domethënie të veçantë në historinë tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›