E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti Europian kundërshton aplikimin e Shqipërisë për në BE

Parlamentarët europianë kërkojnë kujdes edhe me ligjin e spiunëve
Qeverisë shqiptare sërish i është transmetuar nga ndërkombëtarët mesazhi për të qenë më të duruar në aplikimin e Shqipërisë në BE, edhe pse çdo ditë këmbëngulja e saj, sa vjen e shtohet. Sipas delegacionit të Parlamentit Europian i cili ndodhet në Tiranë, qeverisë i bëhet e qartë edhe një herë se nuk duhet të nxitohet me aplikimin për statusin kandidat të vendit në Bashkimin Europian, por të vlerësojë si prioritare zgjedhjet e qershorit të këtij viti. Ecuria e reformave integruese në Shqipëri, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit ishte në qendër të takimit të 16-të ndërparlamentar të radhës mes parlamentit shqiptar dhe delegacionit të Parlamentit Europian, i kryesuar nga Doris Pack, në Tiranë.
Gjatë fjalës së saj, kryetarja e delegacionit Pack sërish ka përsëritur qëndrimin e saj për mosaplikim e Shqipërisë në këtë periudhë. Këtë radhë deklarata e saj ka qenë e drejtpërdrejtë, tha se qeveria nuk duhet të nxitohet me aplikimin, madje sipas saj edhe situata brenda BE nuk është shumë e favorshme, pasi jo çdokush është në favor të zgjerimit të BE. Europarlamentarja theksoi gjithashtu se qeveria dhe klasa politike nuk duhet të shkëputin nga vëmendja prioritetet që ka vendi duke renditur të parën zgjedhjet e qershorit. Aplikimi i Shqipërisë në këtë periudhë nuk është e këshillueshme, por e mira është që fitimi i këtij statusi të vinte pas pjekjes së kushteve të vendit dhe detyra kryesore që çon në realizimin e tyre, është zhvillimi i zgjedhjeve transparente dhe të ndershme nga të gjithë faktorët politikë. Ndërkohë që një tjetër element, i cili nuk kushtëzon aplikimin e Shqipërisë, janë zgjedhjet e Parlamentit Evropian, gjatë së cilit do të zgjidhet një Komision të ri, që nuk do të jetë i disponueshëm të kthejë një përgjigje konkrete për Shqipërinë, nëse aplikimi do të ndodh në muajin prill. Ndërsa kryetarja e delegacionit shqiptar në PE, Arenca Trashani vlerësoi se takimi vjen në një moment të rëndësishëm që lidhet me përmbushjen e standardeve të kërkuara nga partnerët ndërkombëtarë, ku veçohet si arritje konsensusi partiak për reformat jetike të jetës së vendit, si reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore. "Kodi i ri zgjedhor përbën një standard të ri në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, po ashtu dhe shumë ligje të tjera i kontribuojnë thellimit të reformave në të gjitha fushat, ku prioritet për maxhorancën mbetet lufta kundër korrupsionit, informalitetit, etj, u shpreh gjatë kryetarja e delegacionit shqiptar. Lohan: Zgjedhjet parlamentare, test maturie për Shqipërinë
Ndërkohë edhe kreu i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan vlerësoi vitin 2009 një shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe zgjedhjet parlamentare si test maturie për vendin. Lohan garantoi se Bashkimi Europian do të vëzhgojë gjithë procesin zgjedhor dhe veçanërisht përgatitjet dhe ecurinë e procesit gjatë muajit maj. Sipas tij, 2009-ta është i rëndësishëm për Shqipërinë për shkak të hyrjes në fuqi të MSA-së në prill, hyrjes në NATO, po ashtu edhe për zgjedhjet .Më e rëndësishme është që këto dy ngjarje shënojnë fillimin e një epoke te re për performancën e Shqipërisë", tha Lohan. Sfida më e rëndësishme për Shqipërinë, sipas Lohan është sundimi i ligjit, vendosja e një sistemi që mbron te drejtën e pronës, por edhe forcimi i kapaciteteve administrative në institucionet shqiptare. Ndër të tjera, Lohan e ka cilësuar të rënduar situatën politike në Shqipëri dhe sipas tij palët duhet të gjejnë konsensin. Sipas tij, konfrontimi mes palëve të politikës krijon një situatë aspak të favorshme për ekonominë e vendit, duke ndikuar direkt në këtë sektor, e sidomos në atë të marrëdhënieve tregtare. Prandaj duhet një bashkëpunim mes të gjitha palëve, sepse situata rëndon mbi qytetarët, ka theksuar ai.
Szyoany: Ligji i lustracionit ka nevojë për një konsulencë ndërkombëtare
Përfaqësuesi cek i delegacionit Parlamentit Europian, Tomas Szyoany duke përmendur ligjin e pastrimit të figurave, ka theksuar se ky ligj ka nevojën e një konsulence ndërkombëtare, në mënyrë që të zbatohet brenda standardeve të Kushtetutës. Dialogu BE-Shqipëri është intensifikuar, por mbetet ende shumë punë për tu bërë deklaroi përfaqësuesi cek i delegacionit. Ndër të tjera, përfaqësuesi çek i delegacionit të PE, ka ritheksuar vendimin e presidencës çeke të BE, për konsiderimin e Ballkanit Perëndimor si prioritet të saj. Ndërkaq, ai nuk ka lënë pa përmendur edhe aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, duke ftuar krerët e shtetit të reflektojnë mirë përpara se të hedhin një hap të tillë. Anëtarësimi në NATO, nuk është ftesë për në Bashkimin Europian deklaroi përfaqësuesi cek i delegacionit të PE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›