E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronarët: Tani vendimet e dhëna për pronat, të shenjta

Ish-pronarët përshëndesin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e amendimeve të bëra në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”, të propozuara nga deputeti Enkeljd Alibeaj. Një ditë pas publikimit të vendimit, shoqata kombëtare e të shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”, e cila ishte dhe një nga dy subjektet ankimuese të këtyre ndryshimeve, e ka vlerësuar vendimin e Kushtetueses si një fitore dhe legjitimim të vendimeve të dhëna më parë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave. “43 mijë vendime të dhëna ndër vite nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave, ky vendim i gjykatës i bëri të shenjtë dhe të paprekshëm nga ekzekutivi. Kjo është një fitore e jashtëzakonshme”, - tha Murshit Vorpsi, një nga drejtuesit e kësaj shoqate. Sipas tij, tashmë që Gjykata Kushtetuese i ka thënë jo rishikimit të titujve të pronësisë nga AKKP, qeverisë nuk i mbetet tjetër veçse të japë zgjidhje për mënyrën sesi do të kryet ky proces kthimi dhe kompensimi deri në fund. “Në këtë sens qeveria duhet patjetër të adresojë ashtu siç është faktin sesi do të realizojë atë faturë financiare apo atë faturë që ka krijuar në vite zbatimi i këtij ligji”, - shprehet Vorpsi. Ndërkohë që edhe republikanët, megjithëse janë pjesë e koalicionit qeverisës, shprehen të pakënaqur me trajtimin e çështjes së pronave, ndërsa kërkojnë veprime konkrete nga ana e ekzekutivit. “Kërkohet një vullnet politik i shprehur, por më shumë sesa kaq kërkohen veprime konkrete. Edhe pse është një problem kaq shqetësues, nuk ka qëndrime koherente lidhur me faktin sa pasuri, sa resurse ka shteti në dispozicion të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave”, - u shpreh ish-deputeti republikan Arjan Madhi, sot një nga drejtuesit e PS-së.

Ai nuk ka ngurruar që të hedhë dhe dyshime të forta për abuzime që janë kryer gjatë viteve të fundit për procesin e kompensimit fizik të pronave. “Ne kemi më shumë mundësi para tre vjetësh, sasi të mjaftueshme toke pronë shtetërore, sasi të mjaftueshme tokë të pashpërndarë dhe që nisi të shpërndahet më pas në mënyrë abusive”, - tha Madhi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›