Alibeaj: “Prokuroria, përgjegjëse për mbrojtjen e Trebickës”
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka “fajësuar” Prokurorinë e Përgjithshme për vdekjen e Kosta Trebickës. I pranishëm dje në një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Integrimit, Alibeaj, i pyetur nga deputetët e opozitës për mosfunksionimin e shtetit për mbrojtjen e dëshmitarit kyç për ngjarjen e Gërdecit, ai u shpreh se në bazë të ligjit, i takonte Prokurorisë së Përgjithshme për të bërë kërkesë për mbrojtjen e Trebickës. “Ekziston një ligj për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe ky ligj mbulohet nga Ministria e Brendshme. Në bazë të ligjit, Prokuroria e Përgjithshme duhet të artikulojë një kërkesë ku shpreh nevojën për mbrojtjen e dëshmitarëve. Më pas kërkesa verifikohet dhe merret në shqyrtim nga Ministria e Brendshme. Për rastin konkret nuk jam në dijeni të ndonjë kërkesë të bërë nga Prokuroria e Përgjithshme”, - është shprehur ministri i Drejtësisë, Alibeaj. Kjo ka qenë përgjigjja që ka dhënë kreu i Drejtësisë shqiptare. Ndërkohë që deputetët e opozitës shprehën me nota të ashpra shqetësimin e tyre për asgjësimin e dëshmitarit kyç për zbardhjen e aferës korruptive qeveritare që solli dhe tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona.
Deputeti i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, fajësoi qeverinë për mosmarrjen në mbrojtje të Kosta Trebickës. “Ne jemi shumë të shqetësuar për vdekjen e Kosta Trebickës. Si ka mundësi që shteti nuk e mori në mbrojtje një dëshmitar të tillë kyç për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit? Një ngjarje e tillë na lë të mendojmë se në të ardhmen nuk do të ketë më dëshmitarë në Shqipëri, pasi kanë frikë nga asgjësimi. Nuk ka më luftë kundër korrupsionit dhe krimit nëse nuk mbrojmë dëshmitarët kyç”, - është shprehur Ruçi.
16 Shtator 2008