Dhjetë paralajmërimet e Ngjelës për vrasjen e Trebickës
“Nuk është aksident ky. Ju garantoj nga ana profesionale. Është vrasje, dhe prisni se kjo është e para”. Kështu është shprehur dje në sallën e Kuvendit deputeti i “ngrirë” i Partisë Demokratike, Spartak Ngjela. Duke iu referuar vdekjes së dëshmitarit kyç për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, Kosta Trebicka, Ngjela u shpreh se përgjegjësi për këtë mban vetëm kryeministri Sali Berisha. Madje, me një ton të ashpër, ai i bëri thirrje politikës shqiptare që të bashkohet dhe të shkarkojë kryeministrin Berisha, të cilin ai e cilësoi diktatorin e radhës të Shqipërisë. Ngjela ngriti gjithashtu dhe dhjetë pikëpyetje për vdekjen e Trebickës dhe ngjarjet që pritet të ndodhin. Nëpërmjet këtyre pyetjeve avokati nënkuptoi se kryeministri Berisha ka ndërmarrë një fushatë terrori dhe kjo, sipas tij, është vetëm vrasja e parë.
Akuzat
“Jam shumë i indinjuar, sepse shoh që ka frikë dhe fakti se ka frikë nuk më tremb, por më trishton. Një spiun i kryeministrit më tha: ‘300 veta ka kryeministri për të vrarë’. Është e njohur në historinë e kombeve që një njeri i sëmurë nga mendja pushton me dhunë qeverisjen, ndërsa shoqëria pushtohet nga tragjeditë, vrasjet, krimi dhe varfëria. Ne po drejtohemi nga një kryeministër i ligë nga natyra, i sëmurë nga mendja dhe i paaftë nga intelekti. Për këtë arsye jemi në tragjedi, jemi në varfëri, po shikojmë vrasje”, - është shprehur Ngjela dje në sallën e Kuvendit. Më tej, ndërsa dha argumente duke theksuar se vrasësi asnjëherë nuk e pranon krimin, i bëri thirrje politikës shqiptare që të marrë masat për shkarkuar Berishën nga posti i kryeministrit. “Po kërkojmë t’i mbushim mendjen hajdutëve dhe vrasësve që të pranojnë krimet. ǒështë ky naivitet fëminor që ju ka pllakosur? S’ka njeri që s’e ka kuptuar se Gërdeci është vepër direkte e Sali Berishës. Ku keni parë një bandit, apo hajdut që të pranojë krimin dhe vjedhjen!? Nëse nuk do të jemi ne ata që do ta bëjmë sa më shpejt largimin e këtij kryeministri, madje që sot, gjithçka do të percipitojë në terror. Madje ai ka filluar, sepse vrasësit e Trebickës janë profesionistë”, - është shprehur Ngjela. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se Trebicka e kishte kryer misionin e tij, duke dëshmuar për atë që dinte. Sipas Ngjelës, Trebicka është vrarë për të trembur shoqërinë dhe për të penguar proceset integruese të vendit. Ai gjithashtu hodhi dyshime për mospërfundimin e regjimit komunist në Shqipëri. “Asnjë lidhje nuk ka vrasja me hetimin. Ai e ka bërë denoncimin e tij. Pse është vrarë? Natyrisht për të trembur. Natyrisht dhe sepse ne shqiptarët ndodhemi para shansit që ka të bëjë me integrimin. Një gjë brendshme kërkon me ngulm të mos na e lejojë këtë shans. Ka 17 vjet nga rrëzimi i diktaturës, nëse është rrëzuar, se kurrë një qeverisje nuk ka menduar për interesat e shoqërisë. Kryeministrat e kaluar kanë menduar vetëm për vete. Një kryeministër i tillë është dhe ky i sotmi, që ka ndaluar hetimet dhe kërkon të trembë njerëzit”, - është shprehur Ngjela.
box
10 pyetjet e Avokatit
Çfarë përfaqëson Gërdeci: një ngjarje korruptive, apo ka dhe diçka më tepër?
A do të kishte ndodhur vrasja masive në Gërdec po të mos kishte qenë ky kryeministër?
Çfarë do të bëjë Mediu? Do të vazhdojë të thotë nëpër tavolina se kjo është vepër e kryeministrit dhe djalit të tij për të fituar kredo politike?
Cilat janë faktet e reja që do të vijnë nga hetimi jashtë Shqipërisë?
Nëse Trebicka është vrarë, përse është vrarë? Për të zhdukur një dëshmitar, apo për të trembur Mediun?
A do të ishte i sigurt Mediu nëse do të tregojë të vërtetën, apo do të përfundojë në një aksident?
Çfarë do të ndodhë me ne nëse na faktojnë se kryeministri, djali i tij dhe Mediu kanë shkelur ligjet dhe kanë ndihmuar terrorizmin?
A jemi ne në gjendje të veprojmë, se askush në histori s’e ka lënë pushtetin me votë për të vajtur në burg me këmbët e tij?
A jemi ne të përgatitur të përballemi me një terror shtetëror që pritet të vijë sepse tirani ynë nuk e lë pushtetin?
A kemi mjete për terrorin që pritet të vijë, sepse jam i sigurt për këtë?
16 Shtator 2008