E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj: Sfida jonë e radhës është një arsim i modeluar, i disiplinuar sipas kërkesave të tregut

Kandidati për deputet i qarkut të Fierit, ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj zhvilloi dje një takim me intelektualë të qytetit të Ballshit, arsimtarë, mjekë e inxhinierëve. Në këtë takim ministri i Drejtësisë, foli rreth strategjisë së ndjekur nga qeveria e PD-së këto katër vite për arsimin dhe sfidat e së ardhmes në këtë fushë. 

Sipas tij kjo strategji u fokusua  kryesisht në infrastrukturë, në rritjen e standardeve të kurrikulave, u fokusua në krijimin e kushteve  më të mira në moton “dija të jepet dhe dija të merret”. Mësuesit, sipas tij, nuk janë vetëm zyrtarë dhe administratorë të një vendi por ata janë kasta më elitare, njerëzit më të domosdoshëm për ekzistencën e një shteti.

Alibeaj u shpreh se arsimi sot rrezikon të kthehet në një qëllim në vetvete. Dëshira e shqiptarëve për t’u arsimuar po i çon shqiptarët drejt asaj që ai e quajti “metamorfozë në kërkesën për të marrë një diplomë”. 

“Arsimi nuk duhet të shihet si një  qëllim në vetvete, por si instrument për të rritur aftësitë profesionale, këto si një mjet për të fituar jetesën. Sfida jonë e radhës është një arsim i modeluar, i disiplinuar sipas kërkesave të tregut. Kjo është sfida e madhe e qeverisë së një vendi. Arsimi duhet të jetë dhe duhet të ngelet mjeti më kryesor, mjeti më i rëndësishëm që jeta e çdo individi, jeta e çdo qytetari të disiplinohet drejt kërkesave të tregut. Kjo sfidë kërkon që  qeveria shqiptare, programet politike, të fokusojnë, të projektojnë, të artikulojnë  pikërisht këtë model të ri të sjelljes së qeverisë  kundrejt arsimtarëve, kundrejt operatorëve  kryesorë të sistemit arsimor dhe kjo  sfidë zë vendin kryesor në programin  e qeverisjes së PD-së në 4-vjeçarin e ardhshëm”, u shpreh kandidati i qarkut të Fierit, ministri Enkelejd Alibeaj. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›