Berisha: Me reformat e thella në mandatin e dytë, hedhim hapin e sigurt të ndërtimit të Shqipërisë Evropiane
Në kuadër të turit elektoral “Shqipëria po Ndryshon” kryeministri Sali Berisha u ndal në qytetin e Matit, ku përmes një mitingu madhështor prezantoi direktivat e programit qeverisës të Partisë Demokratike, për katër vitet e ardhshme. Para qytetarëve të Matit kryeministri shprehu premtimin e tij solemn për Shqipërinë pjesë të Bashkimit Evropian, deri në fund të vitit 2013. Duke kujtuar se investimet në rrethin e Matit janë dhjetëfishuar, kryeministri Berisha u fokusua në përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës, duke premtuar se brenda këtyre dy javëve fillon ndërtimi i rrugës së Urakës, Qafë Buallit, në të gjithë gjatësinë. “Rrugën do ta ndërtojmë me shpejtësinë më të madhe, ju do të keni një nga rrugët më të bukura, më të mira në Shqipëri. Së dyti, unë ju premtoj se të gjitha fshatrat e Matit do të lidhen me rrugë të asfaltuara, me qendrat e komunave, dhe të gjitha komunat do të lidhen me rrugë të asfaltuara me rrugën kombëtare”, tha kryeministri. Rritja e pagave dhe pensioneve, tha kryeministri, në katër vitet e ardhshme do të jenë më të larta se në 6 vendet anëtare të BE-së. “Ju garantoj se katër vitet e ardhshme, rrogat dhe pensionet do të njohin rritje të reja, për të parakaluar 6 vende anëtare të BE-së”, tha Berisha. Hapja e vende të reja të punës, shtoi kreu i qeverisë, do të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e standardit të jetesës. “Për katër vitet e ardhshme 160 mijë vende të reja pune është zotimi ynë. Punësimi është kryefjala e programit tonë të ardhshëm. Ne kemi të gatshme për investime mbi 6 miliard euro, në 104 HEC, në 4 parqe energjetike, në 6 parqe industriale, në mijëra e mijëra kilometra rrugë, në porte, aeroporte, shkolla, kanalizime që do të ndërtohen në 4 vitet që vijnë”, theksoi kryeministri. Kryeministri deklaroi se me realizmin e reformave të thella qeveria hedh hapin e madh për ndërtimin e Shqipërisë Evropiane. Më tej, kreu i qeverisë u bëri thirrje socialistëve të Matit, të gjithë matjanëve të bashkohen me Partinë Demokratike, në ëndrrën më të bukur, në projektin evropian. Berisha bëri thirrje që të mos jepet asnjë votë për Edi Ramën, burracakun që nuk doli në shesh dhe që zëvendësoi dhunshëm socialistët me 99-shat. “Ne që bëmë realitet ëndrrën atlantike të shqiptarëve, ne do të bëjmë realitet ëndrrën evropiane të shqiptarëve. Të gjithë matjanët, pavarësisht bindjeve politike, demokratë, socialistë, apo të bindjeve të tjera, kanë një projekt dhe ky është projekti evropian. Socialistë të Matit, ju bëj thirrje që të mos jepni asnjë votë për Edi Ramën, sepse Edi Rama, ky burracak nuk ia mbajti të dalë në shesh, nuk ia mbajti të dalë në krye të listës tuaj dhe u fut nën tavolinën e kryetarit të bashkisë. Ai e bëri këtë sepse nuk ka pikën e respektit për ju, e bëri këtë sepse ai nuk ka interes tjetër, përveç lejeve të ndërtimit, ai e bëri këtë se ju ka zëvendësuar ju me 99-shat e tij, të cilët i ka sekserë të lejeve të ndërtimit, ndaj bashkohuni me ne në projektin evropian”, u shpreh kryeministri duke deklaruar se “vota juaj për Sali Berishën, vota juaj për ndryshimin e Shqipërisë, është votë për pensionet tuaja, për rrogat tuaja, për bizneset tuaja, për shkollat e fëmijëve tuaja, është votë për Matin evropian, është votë për Shqipërinë evropiane, është votë për ju, për fëmijët tuaj, për familjen tuaj, për të ardhmen”. Kryeministri Sali Berisha përsëriti dje edhe thirrjen vëllazërore të gjithë qytetarëve shqiptarë që nuk janë të pajisur me dokumentet e reja të identitetit, t’i marrin ato, sepse ashtu sikurse u shpreh kryeministri, janë dëshmia më moderne e identitetit të shqiptarëve. “Kam një thirrje vëllazërore për ju, këto dy ditë pyesni çdo mik, çdo shok, çdo familjarë, çdo të afërm, nëse e ka marrë apo jo letërnjoftimin e ri. Në se jo le të shkojë ta marrë. Letërnjoftimi është dëshmia më moderne e identitetit tonë të plotë. 28 qershori po afron, thirrja ime vëllazërore për ju është që të gjitha ata që nuk kanë marrë letërnjoftimet dhe nuk kanë pasaporta, sot dhe nesër, të marrin letërnjoftimet dhe pasaportat”, u shpreh kryeministri.
...