Arben Qirjako, në krye të fushatës demokrate për njësinë nr.4, garanton një përsëritje të triumfit elektoral të 1992-it
Arben Qirjako, drejtori i Përgjithshëm i Zyrës së Regjistrimit të Pronave (hipotekës), prej ditësh është vënë në krye të fushatës elektorale të PD-së, në njësinë nr. 4 të Tiranës, pas ndarjes së kandidatëve fitues të listës “Berisha” në një strukturë më tradicionale, e cila respekton ndarjen territoriale, në bashkinë e Tiranës. Bashkë me stafin e tij, qëllimi kryesor i kandidatit për deputet Arben Qirjako, mbetet kontakti me të gjithë zgjedhësit që përfshihen në këtë njësi bashkiake, duke i vizituar ata në banesat e tyre, e thënë ndryshe “derë më derë”. Kjo strategji e kreut të Hipotekave, nuk ka si qëllim vetëm dhe thjesht kontaktin e drejtpërdrejtë me zgjedhësit e kësaj njësie, por mbi të gjitha, ka si qëllim përçimin tek ata të programit të PD-së, të ballafaquar sigurisht me arritjet e qeverisjes 4-vjeçare, bashkë edhe me premtimet për 4 vitet e ardhshme.
Në këto vizita e takime, prej disa ditësh, mësohet se Arben Qirjako, është ndalur veçanërisht në zgjidhjen e dy ndër problemeve më madhore të banorëve të kësaj zone. Problemi i parë lidhet me procesin e legalizimeve, proces që është vënë tashmë në rrugën e zgjidhjes, dhe problemi i dytë, lidhet me integrimin e komunitetit rom me pjesën tjetër të shoqërisë shqiptare. Për zgjidhjen e këtij problemi, Qirjako ka si mbështetje programin e PD-së, përparimin e realizuar gjatë 4 viteve të shkuara (punën e mirë të ALUIZNI-t, por edhe mbështetjen ligjvënëse të mazhorancës).
Duke u bazuar në rezultatet e dukshme të qeverisë në këto 4 vjet, si edhe në mesazhet që ka marrë nga banorët e njësisë bashkiake nr. 4, Arben Qirjako, nuk e fsheh bindjen se PD-ja në këtë zonë do të korrë një rezultat të kënaqshëm, shumë më të mirë nga zgjedhjet e kaluara, për të mbërritur në shifrat historike që janë regjistruar disa herë në këto anë, së pari triumfi i 22 marsit 1992. Në një prononcim për gazetën”55”, Arben Qirjako theksoi se e presim kryeministrin Sali Berisha me një bindje të kudogjendur se fitorja e kapilarizuar në të gjitha zonat e kryeqytetit do të jetë ndihma më e mirë që banorët e Tiranës mund t’i japin programit ambicioz për “Shqipërinë Evropiane”, një program që jo vetëm do t’i japë fund, njëherë e mirë tranzicionit të stërzgjatur shqiptar, por edhe që do të na garantojë më në fund një integrim të denjë në familjen e kombeve që i përkasin Perëndimit, qytetërim ku shqiptarët janë bashkëthemelues të tij.
...