Kryeministri Berisha takohet me banorë të Ishmit dhe Sukthit, në Durrës dhe Saukut në Tiranë

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje pasdite një takim me banorë të Ishmit dhe Sukthit, në qarkun e Durrësit. Kryeministri Berisha u shpreh para banorëve se qeveria që ai drejton do të financojë me përparësi të madhe çdo projekt që kryetari i komunës, do të bëjë për ujësjellës, për kanalizime, për shkolla, për qendra shëndetësore. Kreu i qeverisë premtoi se qeveria do të financojë çdo projekt për nxitjen e prodhimin bujqësor, do të financojë çdo projekt për përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësor, sikundër do të financojë inputet që fermerët përdorin për kulturat bujqësore. Më pas, kryeministri Berisha u ndal në Sukth, ku zhvilloi një takim me banorë të tij. Duke shprehur kënaqësinë për këtë takim, kryeministri Berisha deklaroi se në atë zonë janë investuar 1.750 miliard lekë, kundrejt zero investime të socialistëve katër vite më parë. Ndërkohë, mbrëmjen e së martës, Kryeministri Sali Berisha u ndal në Sauk për turin elektoral. Kryetari i PD-së Sali Berisha u premton banorëve të Saukut, urbanizim të plotë të zonës. Kryeministri Berisha zhvilloi një takim elektoral nga ku shpalosi programin e mandatit të dytë qeverisës. Duke u shprehur mirënjohje për votën kundër Angjelit 4 vjet më parë, kreu demokrat u kërkoi zgjedhësve të Saukut që këtë votë t’ia besojnë sërish PD-së. Sipas tij, është qeveria e saj, ajo që do të vazhdojë ndryshimin e nisur me 3 korrik 2005 dhe do t’u japë përgjigje të gjitha shqetësimeve të qytetarëve shqiptarë. Lideri i PD-së Sali Berisha iu drejtua socialistëve të Saukut që të bashkohen me Partinë Demokratike. Kryeministri u vuri në dukje se me PD-në, i bashkon projekti evropian i Saukut, Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, kurse me Edi Ramën nuk i ligj asgjë pasi ai i braktisi socialistët për ‘99-shat.
...