E Diel, 1 Nëntor 2026

E djathta europiane mbështet PD-në sjell në Tiranë 40 kamionçina reklamojnë nëpër Shqipëri arritjet e qeverisë Berisha

Ministrja e Integrimit, njëkohësisht zëdhënësja e fushatës Majlinda Bregu dhe kandidati i PD-së për qarkun e Tiranës, Tritan Shehu pritën mëngjesin e djeshëm në sheshin e trageteve në Durrës përfaqësuesin e së djathtës evropiane Mirco Belotti, i cili, në emër të partive popullore evropiane shprehu mbështetjen në këto zgjedhje ndaj Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe kreut të saj, Sali Berisha. 40 kamionçina të mbuluara me postera dhe logo të fushatës së PD që zbritën nga trageti “Adriatica”, do të lëvizin nëpër të gjitha qytetet e Shqipërisë gjatë këtyre 10 ditëve, të shoqëruara edhe nga aktivistë të Partisë Demokratike dhe anëtarë të forumit rinor. Kjo, sipas Belotti është një mënyrë e veçantë e zgjedhur prej partive popullore evropiane, për të bërë fushatë, për të reklamuar arritjet e qeverisë Berisha gjatë këtyre 4 vjetëve dhe premtimet për mandatin e ardhshëm. “Kjo është një mbështetje për mikun tonë të PD-së Berisha me këtë tipologji komunikimi, sigurisht të veçantë të këtij lloji në Shqipëri. Është një mbështetje e rëndësishme, për një partner tonin të rëndësishëm që është Berisha dhe Partia Demokratike”, tha Belotti për mediat duke sqaruar se e djathta evropiane është e njëjtë me atë shqiptare për sa i përket linjës dhe programit. “Projekti për një Shqipëri evropiane e bën liderin e PD-së Berisha një partner të madh, për këtë arsye e kemi mbështetur në gjithçka dhe për gjithçka”, tha më tej Belotti. E pyetur nga gazetarët se sa kohë do të duhet që shqiptarët të lëvizin pa viza në Evropë, ministrja e integrimit Bregu tha se kjo do të ndodhë brenda vitit 2010. “Vizat me vendet e BE-së do të hiqen brenda vitit të parë të mandatit të dytë, premtim ky që besoj se nuk keni dyshim për ta diskutuar më, siç e shihni sot kanë mbërritur nga fondacioni pranë partive popullore evropiane, Fondacioni i Studimeve Politike për Ballkanin dhe për Evropën Juglindore, jo pak, por 40 kamionçina të cilët do të jenë gjatë këtyre 10 ditëve në gjithë Shqipërinë për të shprehur mbështetjen e së djathtës evropiane ndaj të djathtës shqiptare. Kjo është përgjigja më e mirë për të gjitha premtimet tona”, tha Bregu duke shtuar se partitë e djathta evropiane kanë fituar në 24 vende të Bashkimit Evropian, ndërkohë që një pjesë e madhe e vendeve të BE-së drejtohen sot nga kryeministra të qeverive të djathta. “Besoj që vota djathtas në Evropë, është votë djathtas edhe në Shqipëri”, përfundoi Bregu.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›