E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, apel shoferëve:Jeta jepet vetëm një herë



ADI SHKEMBI

Pas tragjedisë së Fushë-Arrzit, Presidenti Bamir Topi bën apel që drejtuesit e automjeteve të tregojnë më shumë kujdes në rrugë. Një ditë pas ngjarjes, kreu i shtetit ka vizituar sërish Spitalin Ushtarak, ku ende disa pasagjerë po qëndrojnë në sallat e reanimacionit. "Duhet ta vlerësojmë të gjithë, sepse jeta jepet vetëm njëherë! Jeta është shumë e shtrenjtë dhe për të duhet të kujdesemi! Dhe unë mendoj që është një apel që u shkon të gjithë drejtuesve të automjeteve, sidomos atyre që i shërbejnë publikut, të cilët duhet të bëjnë patjetër një kujdes të jashtëzakonshëm e të mendojnë për jetën e tyre!", u shpreh Presidenti. Sipas tij, qytetarët duhet të bashkëpunojnë më shumë me organet e rendit në respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor dhe parandalimin e aksidenteve. "Duhet të bashkëpunojmë me forcat e rendit! Duhet të bashkëpunojmë me ligjin! Nuk duhet parë polici rrugor si personi që të vendos gjobën, përkundrazi! Ai duhet të shikohet si personi që i shërben ligjit, që u shërben qytetarëve, që i shërben atij që i jep makinës, por edhe atij që është këmbësor". Gjatë komunikimit me mediat Presidenti Topi vlerësoi punën dyditore të ekipit mjekësor. "Ne shpresojmë që ta kalojnë, sepse biologjia është biologji! Ajo që mund të them është që asgjë s'u ka munguar dhe kanë një kujdes të jashtëzakonshëm. Unë do të dëshiroja të përgëzoja edhe njëherë punën e ekipit mjekësor, sepse në të tilla raste kur aksidentet janë të këtyre përmasave, kërkohet edhe një organizim shumë i veçantë. Kështu që shpresojmë që kjo situatë të kalohet hap pas hapi". I pyetur nëse do të ketë një ndihmë ekonomike nga shteti për familjet e traumatizuara të viktimave, kreu i shtetit tha se: "Ju të gjithë e dëgjuat prononcimin, edhe të Kryeministrit, i cili premtoi dhe natyrisht që në tragjedi të kësaj natyre është në detyrimin e Qeverisë dhe besoj që do të merren të gjitha masat, jo vetëm për kalimin e kësaj situate traumatike, që është edhe psikologjike, por besoj për të gjitha trajtimet e mëtejshme. Sikurse edhe në rastet e tjera, edhe në këtë rast patjetër që do të ketë një trajtim nga shteti!"

Ilir Meta
"Ngjarja e rëndë, jam i tronditur"

Ministri i Jashtëm Ilir Meta dhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, kanë parë dje nga afër të plagosurit në Spitalin Ushtarak. Duke folur për mediat, kreu i LSI-së u shpreh se "ndihem shumë i tronditur dhe i pikëlluar për këtë fatkeqësi të madhe, e cila ka marrë jetën e disa qytetarëve tanë. Megjithatë, dua të vlerësoj solidaritetin e jashtëzakonshëm të treguar nga të gjithë. Jam i bindur që kjo ngjarje është shumë e rëndë, shumë tragjike dhe shumë e rrallë. Informojmë se nga dhjetë të plagosurit që janë të shtruar në Spitalin Ushtarak për tetë prej tyre gjendja paraqitet e stabilizuar, ndërsa dy të plagosur të tjerë, mes të cilëve një fëmijë, paraqiten në gjendje me kritike", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kryeparlamentarja Topalli ndërpret vizitën në Zvicër

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ndali dje vizitën zyrtare në Zvicër dhe vizitoi disa nga familjet e prekura nga tragjedia në Fushë-Arrëz. Topalli ngushëlloi familjarët dhe në emër të të gjithë deputetëve shprehu solidaritetin. Ajo vizitoi edhe të plagosurit në Spitalin Ushtarak. "Dje ka qenë një ditë e zezë. Të gjithë jemi të shokuar. Unë këtu pashë dy prej fëmijëve të familjes Mustafa, Mirsadin dhe Armandon. Mjekët thonë që ata kanë shpëtuar nga rreziku dhe ne i lutemi Zotit që edhe dy fëmijët e tjerë të kenë jetën e gjatë dhe po ashtu edhe të gjithë të shtruarit në këtë spital", tha Topalli. Njëkohësisht një mesazh ngushëllimi dërgoi edhe Kryetari i Parlamentit Europian, Jerzy Buzek, i cili shprehu solidaritetin e tij për të gjithë shqiptarët.

Berisha ngushëllon familjet e tragjedisë
Kryeministri Sali Berisha ka udhëtuar dje për në Fushë-Arrëz dhe në fshatin Shkozë ku ka ngushëlluar familjet Mustafa, Marku dhe Gjini, të cilat u prekën nga tragjedia e dy ditëve më parë. Kreu i ekzekutivit theksoi se ky ishte një aksident i rëndë dhe humbja e tre familjarëve të dashur është një tragjedi dhe dhimbje e madhe për familjen Mustafa, e cila ndodhet në zi, por sot në zi ndodhet e gjithë Shqipëria. "Jemi të gjithë së bashku për ta përballuar këtë gjëmë. Uroj që të gjeni forcën dhe kurajën për të përballuar këtë dhimbje të madhe", është shprehur Kryeministri. "Uroj që të plagosurit që janë në spital të shërohen sa më shpejt. Ne do bëjmë gjithçka për t'i ndihmuar. Të gjithë shqiptarët do donin të ishin këtu me ju, për të marre copëza dhimbje nga dhimbja juaj. Në çdo vatër shqiptare, sot zija juaj është dhimbja e vërtetë".

Deputetët e PS ngushëllojnë familjarët
Deputetë e Partisë Socialiste Ilir Beqja, Astrit Beci, Ndue Kola, Gjok Jaku, të shoqëruar edhe nga kryetari Bashkisë së Pukës, Rustem Strugaj, kanë qenë dje pranë familjeve të viktimave të aksidentit tragjik të Fushë-Arrëzit, ku humbën jetën 14 persona dhe u plagosën 12 të tjerë. Sipas një njoftimi për shtyp të zyrës së selisë rozë, deputetët kanë qenë të pranishëm gjatë ceremonisë mortore të familjes Mustafa në Fushë Arrëz. Kjo familje ka pësuar edhe humbjen më të madhe nga aksidenti tragjik i ditës së djeshme, pasi kanë humbur jetën 3 persona. Një ditë më parë kreu i PS-së së bashku me një grup deputetësh vizituan të plagosurit në spitalin Ushtarak në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›