E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj: S‘tërhiqem për projektligjet

 

Fatos Mahmutaj

Shtatë ligjet për drejtësinë, të kontestuar kohët e fundit nga juristët, do të dërgohen në Parlament të pandryshuar. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, pohoi dje se draftet janë përgatitur duke iu marrë mendimin të gjithë grupeve të interesit, ndërsa kanë dhënë pëlqimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë, mendimi i të cilëve është vlerësuar dhe është pjesë e projektligjeve. Gjatë një takimi të organizuar dje në kuadër të projektit të binjakëzimit “Përmirësimi i Sistemit Gjyqësor për Çështjet Tregtare”, ministri i Drejtësisë komentoi zhvillimet e ditëve të fundit, kur shoqata e prokurorëve, shoqatat e gjykatësve, avokatët dhe noterët, në një rezolutë të përbashkët i bënë apel qeverisë të tërheqë 7 projektligjet, të cilat sipas tyre cenojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Tashmë një pjesë e këtyre ligjeve janë miratuar në qeveri dhe i janë dërguar Kuvendit për votim. Në të njëjtin aktivitet me Alibeaj mori pjesë edhe ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan.
Alibeaj
Ministri Alibeaj argumentoi se për shtatë draftet e reformës në drejtësi, gjatë gjithë verës, pranverës dhe vjeshtës ka pasur konsultime me të gjitha grupet e interesit dhe se sipas tij: “Pakënaqësitë do të kalojnë me kohën, por duhet pasur parasysh fakti se një reformë e suksesshme në drejtësi ka kosto dhe sakrifica, të cilat duhet të mbahen mbi shpatulla nga disa individë apo institucione”. Më tej, Alibeaj, lidhur me çështjen e diskutuar të imunitetit të prokurorive, duke iu referuar Kushtetutës dhe ligjit për gjyqësorin, pohoi për mediat: “Politikisht dhe juridikisht nuk mund të ekzistojë imuniteti për prokurorë dhe gjyqtarë. Vetëm Kuvendi duhet të marrë nisma për të kufizuar, hequr apo jo imunitetin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve”.
Pohimi
Sipas Alibeajt, ligjet janë bërë me asistencën e ndërkombëtarëve, me të cilët institucioni i tij është konsultuar vazhdimisht, ndërsa maxhoranca është maksimalisht e vendosur që me sakrifica ta çojë reformën deri në fund. Duke folur për ligjin “Për Gjyqësorin”, ministri tha se e kishte konsultuar me të tërë trupën gjyqësore, KLD-në dhe mjedisin akademik. Për projektligjin “Për Prokurorinë”, Alibeaj pohoi se është konsultuar tërë trupa e prokurorëve për tre stinë me radhë, pranverë, verë, vjeshtë. “Përfaqësuesit më të lartë të komunitetit të nderuar të avokatëve kanë qenë pjesë e grupit të punës për hartimin e ndryshimit të ligjeve për Avokatinë”, tha ministri, ndërsa shtoi: “I tërë komuniteti i noterëve është konsultuar, i është marrë mendimi për ligjin për noterinë. Madje është shkuar deri atje sa janë marrë vendime edhe në Unionin Ndërkombëtarë të Noterëve në Buenos Aires”.
Lohan
Ambasadori i Komisionit Europian, Helmut Lohan, i pranishëm në takimin e djeshëm, nuk pranoi të komentojë për mediat përplasjet e fundit për Reformën në Drejtësi. Lohan duke u treguar hermetik në përmbajtjen e raportit, që pritet të publikohet më datë 5 nëntor pohoi: “Sistemi i Drejtësisë funksionon në bazë të dy parimeve; në përgjegjshmërinë përpara ligjit dhe në pavarësinë e institucioneve të drejtësisë nga ana e ndikimeve politike. Shqetësohemi kur prishet balanca para ligjit dhe drejtësisë”. Publikimi i këtij raporti nga zyra e përfaqësisë së Komisionit Europian në Tiranë pritet t’i japë përgjigje pyetjes drejtuar këtij institucioni për Reformën në Drejtësi.

Gjyqtarët dhe prokurorët kritikuan draftet e Ministrisë së Drejtësisë

TIRANE – Në një tryezë të organizuar nga Transparency International Albania pak ditë më parë, përfaqësuesit e Shoqatës së Prokurorëve dhe Gjyqtarëve të Shqipërisë kanë vlerësuar nevojën për Reformë në Drejtësi, por thanë se institucionet duhet të kërkojnë edhe mendimin e tyre duke përfshirë në draftim profesionistët dhe grupet e interesit. Sekretari i Shoqatës së Prokurorëve, Shkëlqim Hajdari, ka vlerësuar se Ministria e Drejtësisë ka përfshirë në projektligjin e Prokurorisë disa prej propozimeve të bëra nga ky institucion, por përsëri projektligji mbetet problematik. Ai ka vënë theksin te parashikimi për heqjen e imunitetit të përfaqësuesve të akuzës dhe zgjerimi i kompetencave të kontrollit që ministri i Drejtësisë mund të ushtrojë ndaj Prokurorisë, me qëllim raportimin 6-mujor në Parlament. Prokurori Shkëlqim Hajdari duke folur në emër të kolegëve të tij, tha se e mirëkupton interesin e opinionit publik dhe të politikës për pastrimin e radhëve të drejtësisë nga të paaftët dhe të korruptuarit. Ndërkaq më e ashpër në qëndrimet e saj ka qenë kryetarja e Shoqatës së Gjyqtarëve, Manjola Bejleri. Ajo denoncoi paraqitjen në Kuvend të drafteve nga Ministria e Drejtësisë, për të cilat komuniteti i togave të zeza nuk ka pasur dijeni derisa ato janë miratuar. Përfaqësuesja e gjyqtarëve është shprehur se nga mënyra jo transparente dhe e nxituar me të cilën po veprohet në hartimin e drafteve për sistemin e drejtësisë, kuptohet se ka një tendencë të ekzekutivit për të zgjeruar ndikimin dhe ndërhyrjet e veta në gjyqësor. Megjithatë përfaqësuesit e gjyqtarëve dhe të prokurorëve kanë kërkuar që reforma të realizohet pa prekur kornizën kushtetuese, ku janë vendosur gjykatat dhe prokuroria në raport me ekzekutivin. Po ashtu Shoqatat e Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve kanë vënë theksin në ruajtjen e pozicionit të Presidentit në raport me organin e akuzës dhe me sistemin gjyqësor. Ata janë shprehur se gjyqtarët dhe prokurorët janë të interesuar për përmbushjen e detyrave ligjore dhe kushtetuese jashtë ndikimeve politike apo maxhorancave që ndryshojnë.                      

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›