"Thirrje për falje nga ora diellore"
DURRES/ OERD ULQINI
Komuniteti mysliman i Durrësit bie dakord për ngritjen e orës më të lartë diellore fare pranë minares së Xhamisë. Por kushti i vetëm për të mirëpritur këtë fakt është vendosja e altoparlantit, për faljen e namazit në skajin më të lartë të orës diellore. Në këtë mënyrë, falë lartësisë më të madhe të kullës prej çeliku, falja do të mund të dëgjohej në një rreze akoma më të madhe. Ka qenë myftiu i qytetit, Ilir Vokshi, ai që ka qetësuar besimtarët e islamit mbi faktin se, kulla gjigande e orës diellore nuk do të sfumojë aspak minaren. Ditë më parë në qytet qarkullonin zëra se myslimanët do ta kundërshtonin projektin anglez, vetëm për faktin se ai mund të nxjerrë në plan të dytë, minaren më të lartë të Durrësit, e cila aktualisht dominon qytetin me lartësinë e saj prej 40 metrash. Madje jo vetëm besimtarët, por edhe shoqëria civile ngriti zërin gjatë prezantimit të pesë projekteve për qendrën e Durrësit, duke pyetur për rrezikun e sfumimit të xhamisë, nga lartësia rekord e orës diellore, e cila pritet të arrijë kuotën e mbi 70 metrave. Por deklarata-surprizë e myftiut të Durrësit, Ilir Vokshi, i ka bërë tashmë besimtarët e islamit ta shohin kullën e re si një motër të minares së xhamisë. "Do të kërkojmë me çdo kusht që të vendosim një altoparlant në majë të orës diellore. Do të ishim tejet të kënaqur, nëse nga ajo majë do të transmetonim direkt faljen e namazit, aq më tepër që Durrësi është një qytet me shumicë dërrmuese myslimane. Të paktën një falje në ditë duhet ta transmetojmë nga ora diellore", tha Ilir Vokshi. Myftiu i qytetit bregdetar, pasi ka dëgjuar me shumë kujdes prezantimet e pesë projekteve për qendrën e Durrësit, ka treguar mbështetjen e plotë të tij për moton "Sun Dial", e cila parashikon ndërtimin e orës më të lartë diellore në planet, vetëm pak metra larg minares së xhamisë së Durrësit. "Më pëlqeu shumë projekti anglez. Ideja e ngritjes së kullës së orës diellore pranë xhamisë është shumë e mirë. Do të jenë dy lartësi paralele, të cilat do të krijojnë një pamje mjaft të bukur mes tyre. Një gjë e tillë vërehet edhe në Tiranë, ku minareja e xhamisë ndodhet ngjitur me kullën e sahatit. Për rastin e Durrësit nuk do të kemi kullë për orë me akrepa, siç është në kryeqytet, por kullë me orë diellore. Kjo është akoma më e bukur, pasi kulla e orës së Durrësit do të jetë më e larta në botë për llojin e vet", tha Vokshi. Myftinia e qytetit bregdetar është pro ndërtimit të kësaj kulle, edhe për faktin se ajo është një simbol i mirëfilltë oriental. "Kullat e orëve diellore u ngritën për herë të parë në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, zona këto të cilat përkojnë me qytetërimin e sotëm arab", u shpreh Myftiu. Ai nga ana tjetër kërkon të qetësojë edhe zemrat e besimtarëve, duke dhënë garancitë se "nuk ka asgjë të keqe ndërtimi i një kulle më të lartë se minareja". "Besimi islam mbështet arkitekturën dhe progresin, ndaj dua të qetësoj të gjithë se ngritja e orës diellore është e ligjshme për besimin tonë", tha Vokshi.
Kryebashkiaku Dako prezanton projektet në publik
Kryebashkiaku Vangjush Dako prezantoi para publikut 5 projektet fituese të qendrës së qytetit. Të pranishëm ishin krerët vendorë të Qarkut e Prefekturës, përfaqësues të lartë të besimit mysliman, katolik dhe ortodoks, intelektualë të shquar si dhe mjaft kureshtarë. Në një diskutim-maratonë që zgjati mbi tre orë, të ftuarit bënë për arkitektët e huaja një sërë pyetjesh, të cilat kishin të bënin me orën diellore, objektet e kultit, amfiteatrin, muret bizantine, ruajtjen e vlerave arkeologjike, transportin e tramvajit dhe lidhjen e sheshit me pjesët e tjera të qytetit.