Këshilli Bashkiak "konverton" kryetarin e LSI me të PD-së
ELBASAN/ ALDO KOZARIA
Kryetari i Këshillit Bashkiak të Elbasanit, Bujar Kllogjeri, përfaqësues i LSI-së është shkarkuar dje me shumicën e votave të anëtarëve të këtij këshilli. Po me shumicë votash është emëruar në vendin e tij anëtari i së djathtës, 31-vjeçari me profesion jurist, Blendi Himçi. Ky i fundit, që në fillimin e mbledhjes së radhës kërkoi zyrtarisht shkarkimin e Kllogjerit, si kreun i këtij këshilli. Propozimi u përkrah edhe nga grupi i këshilltarëve të djathtë, i përbërë nga 25 anëtarë. Blendi Himçi kërkoi shkarkimin e kryetarit me motivacionin e një sërë shkeljesh, të metash dhe mangësish në përmbushjen e detyrës së besuar nga Këshilli i Bashkisë së Elbasanit. Ndërkohë, nga ana e tij, Bujar Kllogjeri, u shpreh se i ishte përmbajtur principeve të punës së tij për të qenë kryetar i të gjithëve, duke u bërë palë vetëm me ligjin. "Kërkesa juaj është tërësisht politike. Karriera ime është në profesion dhe jo këtu, përderisa në qytet nuk më thërrasin zoti kryetar, por zoti doktor", u shpreh Kllogjeri, i cili njihet si kirurg në Elbasan. Bashkë me anëtarët e majtë të Këshillit Bashkiak, ai kërkoi të mendohej ky propozim që e gjeti të papërgatitur. Por mes shumë debatesh të këshilltarëve është vendosur që të votohet për heqjen e kryetarit. Votimi është bërë në mënyrë të fshehtë. Sipas burimeve, mësohet se këshilltarët kanë votuar me 25 vota pro, dhe 19 kundër heqjes së kryetarit të Këshillit Bashkiak, Bujar Kllogjeri, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Mbasi falënderoi këshilltarët për bashkëpunimin, mbledhja vijoi me propozime për zgjedhjen e kryetarit të ri. Maxhoranca në këshill propozoi për këtë post këshilltarin që kërkoi dhe shkarkimin e Kllogjerit, Blendi Himçi. Ai është një nga më të rinjtë e Partisë Demokratike në këtë rreth. Partitë e vogla propozuan për këtë post këshilltarin Luan Kasa, i cili përfaqëson në këtë këshill Partinë Bashkimi Liberal. Në fund të votimit, 25 këshilltarë votuan pro Blendi Himçit, pesë pro këshilltarit Luan Kasa, ndërsa 14 vota të tjera janë cilësuar si të pavlefshme. Himçi pritet ta marrë këtë detyrë zyrtarisht në mbledhjen e ardhshme. Ai u shpreh se "Do të bashkëpunoj me të gjithë këshilltarët, por edhe do të kundërshtoj të gjithë ata të cilët nuk do të respektojnë ligjet". Kreu i Bashkisë Qazim Sejdini uroi Himçin për detyrën dhe i kërkoi të mbajë qëndrim jo politik në krye të këshillit.