Mungesa e adresave, posta me probleme
FIER - Mungesa e sistemit të adresave në Fier bën që 60 për qind e dërgesave nëpërmjet postës të mos shkojnë në destinacion. Edhe pse disa herë është kërkuar nga posta që sistemi i adresave në këtë qytet të merrte një investim konkret, gjendja ka mbetur e njëjtë. Sipas drejtuesve të filialit të postës në Fier rreth 60% e letrave dhe dërgimeve nga njëri qytet në tjetrin apo edhe ato posta që mbërrijnë nga shtetet fqinje nuk shpërndahen për këtë arsye. "I kemi kërkuar Bashkisë Fier disa herë të përshpejtojë investimin e sistemit të adresave dhe jeni në pritje deri në zbatimin e plotë të tij", pohoi dje shefja e degës së përgjithshme pranë filialit të postës Fier, Lindita Muskaj. Nënkryetarja e Bashkisë, Eriselda Çobo u shpreh për këtë problem se do të nisë zbatimin projekti për sistemin e adresave, falë 60 mijë eurove që pritet të akordohen nga qeveria. m.r