Braho: Alibeaj të largohet,ka konflikt
Deputeti i LSI-së Spartak Braho kërkoi dje largimin e ministrit Alibeaj, jo vetëm për shkak të konfliktit që ka përfshirë institucionet e pavarura të drejtësisë, por dhe se ai ka konflikt interesi dhe është një ministër që pandehet si i inkriminuar në tragjedinë e Gërdecit, të cilin po heton organi i Prokurorisë. Braho denoncoi edhe deklaratën e deputetit Ylli Bufi, për të rifilluar ndryshimet në Kushtetutë apo ligje të tjera që lidhen me të ashtuquajturën Kufizim të Imunitetit. Sipas tij, këto ndryshime janë pakti i radhës PS-PD, që synon të preket dhe ndryshohet përsëri Kushtetuta, si më 21 prill të këtij viti, në afro 10 nene të saj. “Ne parashikojmë dhe paragjykojmë se pazari i radhës i Rama – Berishës është Kodi Elektoral. Jo vetëm zvarritja e hartimit të këtij kodi, por marrëveshja apo kolaudimi i interesave të tyre në këtë kod bëhet, me qëllimin e vetëm – shmangien nga procesi i administrimit të zgjedhjeve i partive të tjera parlamentare”, tha Braho.