“Bojkoti e zgjedhjet e parakohshme, alibi për rikandimin e Ramës”
Kastriot Islami
PS është në opozitë për shumë arsye. Natyrisht bie dakord që ka pasur shumë parregullsi dhe manipulime, për të cilat kemi qenë paraprakisht të vetëdijshëm, ndërkohë që ishte premtuar nga ne se ishin marrë të gjithë masat për administrimin e votave dhe/ose evidentimin e çdo parregullsie e manipulimi. Edhe kjo detyrë e dytë nuk është kryer aq mirë sa duhet nga i gjithë sistemi partiak i patronazhit. Shtrohet pyetja sa kanë ndikuar parregullsitë e manipulimet në rezultatin zgjedhor dhe cilat janë faktet konkrete të certifikuara juridikisht që ndikojnë dhe sa në rezultatin zgjedhor. Kjo është e rëndësishme jo thjesht për t’i mbushur mendjen vetvetes se fitorja është e vjedhur (gjë që është më e lehta) por të bindur publikun dhe partnerët ndërkombëtarë për përfundimin tonë mbi zgjedhjet. Ky është një objektiv i rëndësishëm që duhet mbajtur në konsideratë sepse vetëm realizimi i tij e bën plotësisht të besueshëm vendimmarrjen tonë politike për zgjedhjet. Por kjo përpjekje nuk mund të ndahet nga angazhimi ynë për të nxjerrë me vërtetësi e realizëm se çfarë nuk mirëfunksionoi në mekanizmin tonë përsa i përket i) grumbullimit të votave sipas objektivave elektoralë dhe ii) mbrojtjes së votave të grumbulluara në përballjen e sistemit tonë partiak me sistemin shtetëror të Berishës. Përsa i përket çështjes së grumbullimit të votave do të duhet t’i jepen përgjigje së paku tri pyetjeve. Së pari, si u realizuan objektiva elektoralë të përcaktuar nga vetë strukturat e sistemit të patronazhit dhe një teknologjie shoqëruese, gjë që vlerësohet se i ka kushtuar PSSH 6-8 mandate? Së dyti, fakti që përse aleatët e PD kanë grumbulluar gati 1.5 herë më shumë sesa aleatët e PS ose rreth 38 mijë vota më shumë diferencë që përkthehet në rreth 3-4 mandate? Dhe së treti duke pasur parasysh se marrëdhëniet me LSI kanë qenë problematike a kishte mundësi të trajtoheshin ndryshe politikisht apo edhe qoftë në trajtë pragmatike për zona të veçanta? Kurse lidhur me çështjen e mbrojtjes së votave do të shtrohej pyetja: Çfarë nuk funksionoi nga sistemi ynë i mbrojtjes së votës (jo çfarë bëri shteti i Berishës por çfarë nuk bëri sistemi ynë i mbrojtjes së votës për të parandaluar, ndaluar apo evidentuar juridikisht e saktësisht të gjithë manipulimet), në cilat zona konkretisht dhe çfarë ndikimi pati kjo në rezultat? Vetëm kështu do të mund të bënim një analizë të plotë dhe të saktë për të arritur në konkluzione që do të lejonin të përcaktohej një plan veprimi integral korrigjues për të ardhmen. Thjeshtimi i çështjes vetëm në tezën se “nuk kemi humbur se na vodhën” është i pjesshëm dhe jo shumë premtues për të ngjallur besim se mund të fitojmë betejat e ardhshme zgjedhore.
Fatkeqësisht gjithçka ka devijuar në dy linja divergjente për shkak të një trajtimi të gabuar të çështjes së momentit të “rikandidimit të Kryetarit të PSSH” gjë të cilën statuti e ka të shprehur shumë qartë në kuptimin së “nuk ka rikandidim nëse ka ndërprerje mandati”. Nuk po futem në këtë pikë thjesht nga fakti për t’ia lënë atë tre protagonistëve kryesorë të kësaj fushate.
Në këtë kontekst të komplikuar dhe kompleks për situatën aktuale dhe PSSH po ngre vetëm katër çështje që kanë rëndësi dhe meritojnë vëmendje të veçantë sepse lidhen me të ardhmen e saj.
1. “...Humbëm nga sistemi...?”
Dëshiroj për të disatën herë të sqaroj se nuk e bëj këtë për mbrojtje personale duke mbetur konsekuent e shumë krenar që kam kontribuar për konceptimin, miratimin konsensual dhe implementimin e këtij sistemi zgjedhor. Nuk kam as edhe ndonjë kompleks përgjegjësie për këtë çështje sepse nëse do të isha kaq i fuqishëm të bind të gjithë forumet e PSSH për katër vjet dhe Kuvendin të votojë me mbi 80 për qind kjo do të ishte një meritë shtesë që nuk e kisha menduar më parë. Problemi është gjetiu. Mendoj se e thënë me dashje apo pa dashje, me dije apo padije kjo tezë është kthyer në kartë fataliteti për PSSH. Pra, kjo do të ishte fatale për PS dhe të ardhmen e saj në betejat e ardhshme elektorale. Nga njëra anë nëse Berisha për shkak të presioneve të Metës dhe cedimit të PS e ndryshon sistemin, shënojeni dhe mbajeni mend se PS si forcë politike nuk merr më shumë sesa 55-56 deputetë. Por kjo prapë nuk ka rëndësi. Nga ana tjetër nëse do të ngulitet në koshiencën e socialistëve se kemi humbur nga sistemi dhe Berisha me Metën nuk e ndryshojnë sistemin pyetja është si do t’i fitojë zgjedhjet në këtë rast kur ne jemi të bindur se jemi të humbur nga ky sistem. Unë besoj se ne me ketë sistem kishim projektuar të fitonim dhe fitonim, dhe bile kemi fituar nëse i referohemi tezës se vetëm na kanë vjedhur votat. Mos të mundohet askush aposteriori të gjejë yçkla për të thënë sesi mund të kishim fituar po të ishte bërë kjo apo jo thjesht për të justifikuar rikandidimin e kryetarit. Jo kjo nuk është as e moralshme, as e ndershme por mbi të gjitha nuk është as shkencore dhe akoma mbi të gjitha e pengon PS të fitojë. Pse? PS duhet të tregojë përse si koalicion ka rreth 25 mijë vota më pak sesa koalicioni i PD. Të pranojmë tezën kryesore të PSSH se na është vjedhur fitorja. Pyetja është sa vota? Të themi 50 mijë vota dhe kështu del që koalicioni i PS do të ishte në realitet sipas kësaj logjike rreth 25 mijë vota mbi koalicionin e PD jo 25 mijë më pak. Në këtë rast duke qëndruar në logjikën e kësaj vjedhjeve sistemi nxjerr PS me 70 deputete pra arrijmë në përfundimin se vetëm duke futur në llogari sipas këtij sistemi PS del forcë fituese. Për rrjedhojë nuk na e paska fajin sistemi. E kështu mund t’ju jap shembuj pafund se nëse nuk do të na kishte vjedhur siç themi në apo po të kishim marrë më shumë vota ne sistemi na nxirrte fitues. Por sistem që të marrësh më pak vota dhe të fitosh me pak mandate është vështirë të konceptosh ndonëse në praktikë edhe mund të ndodhin siç ndodhi në SHBA në zgjedhjet midis Bush e Al Gore, por unë nuk besoj se PS ëndërron si ai nxënësi i keq që kërkon të mësojë frëngjisht, duke e vendosur fjalorin poshtë jastëkut sa herë shtrihet për të fjetur. Ju ftoj miqësisht të mos e përdorni këtë kartë fatale, sepse sjell vetëm fatalitet për PSSH. Dhe unë si një socialist shumë i mirë dhe si një profesionist që pa mburrje po ju them nuk ma merr asnjë deri tani (më falni për mungesën e modestisë) ju këshilloj të largoheni nga kjo rrugë e gabuar. Unë do të vazhdoj të mbroj këtë sistem vetëm për të ardhmen e PS së paku për të treguar që ky nuk ndikon në mossuksesin e PSSH. Kjo kartë fatkeqësisht po përdoret nga mbështetës të rikandidimit të Edi Ramës, duke menduar se e ndihmojnë një gjë të tillë. Është krejtësisht e kundërta jo vetëm në kuptimin kohor se shumë shpejt do të duhet që PS të filloja ta mbrojë fuqimisht sistemin por edhe racionalisht e moralisht. Vetë Edi Rama e mbron sistemin dhe jam i sigurtë do ta mbrojë edhe në ardhmen se paku të afërt publikisht.
2. “...PS nuk humbi, por vetëm e vodhën...?”
PS me eksperiencën e njohjes mirë dhe të përballjes me teknikat e manipulimit të zgjedhjeve nga qeverisjet e Berishës erdhi në zgjedhjet e vitit 2009 shumë e ndërgjegjshme dhe deklarative se kishte marrë të gjithë masat për të garantuar administrimin e votës së lirë. Modeli i milingonave përballë elefantit shtet u promovua për një periudhë gati 10 mujore dhe tentoi të aplikohej pikërisht për të shmangur vjedhjen e votës së lirë. Kjo gjë nuk ndodhi plotësisht, të jemi realistë e të ndershëm me vetveten. Kjo gjë duhej thënë edhe po të kishim fituar. Sistemi i milingonave nuk e pengoi elefantin të bënte atë që bëri ose sistemi i milingonave nuk funksionoi aq mirë sa duhet ose se elefanti na doli më i fuqishëm sesa ç’e menduam ose të gjitha bashkë.
PS ka përballuar referendumin e 1994, zgjedhjet e Libofshës dhe e rrëzoi elefantin në zgjedhjet e 1996 me skemën e evidentimit të manipulimeve për ta mundur një vit më vonë dhe në tetor 1996 për zgjedhjet lokale shkroi librin Policia e Votimit për të vazhduar diskretituar manipulimet e Berishës në pushtet. Pra, PSSH e kishte këtë eksperiencë dhe këtë lloj kapaciteti. Nëse sot artikulohet si e vetmja alibi e humbjes vjedhja e zgjedhjeve dhe nuk jepet asnjëlloj analize se çfarë bëmë ne dhe çfarë nuk bëmë dhe vetëm fetishizohet fuqia e Berishës për të manipuluar zgjedhjet ka shumë gjasa që ne të biem në fatalitet dhe besimi se PS zotëron një mekanizëm të fuqishëm për administrimin e votës e të fitores do të zvogëlohet deri në humbje të tij. Nuk mundet që atë që është thënë deri në 28 qershor në darkë se ne do ta mbrojmë çdo votë, në 29 qershor në mëngjes të themi se Berisha na i vodhi votat pa thënë përse sistemi ynë nuk e përballoi. Duhet minimalisht të jemi më inteligjente në komunikim me njerëzit tanë që na mbrojnë votat.
Karta se “në humbëm vetëm nga vjedhjet” mundet nga njëra anë ta ndihmojë Edi Ramën të rizgjidhet Kryetar, duke mbajtur të ngritura emocionet e votuesve për një kohë shumë të shkurtër, por nga ana tjetër do ta fuste PSSH në një rrugë të pasigurtë për mbrojtjen e votës në ballafaqimet e reja elektorale. Ne duhet në kryesi, asamble dhe kongres, të cilat janë forume serioze dhe të debatit racional të analizojmë pa emocione duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë nuk funksionoi nga sistemi i milingonave, sistemi i patronazhit, çfarë duhet ndrequr dhe si duhet t’i paraqitet votuesve të majtë, që ata të kenë besim që radhën tjetër kjo nuk do të ndodhë sado i fuqishëm të jetë shteti elefant. Përndryshe asnjë kryetar nuk do të ngrejë sistemin e milingonave, sepse ato nuk kanë më besim se ai ngrihet.
3.“...A duhet bojkoti qoftë edhe afatshkurtër... ?”
Bojkoti është një kartë e përdorur shumë shpesh në vendet ne tranzicion demokratik të vështirë që nuk kanë shumë tradita demokratike dhe ndodhen në fazën e demokracisë hibride, pra demokraci e përzier me elementë autoritarë. Shqipëria është tipike në këtë drejtim. Bojkoti është një praktikë e papranueshme dhe shumë e kritikuar nga partnerët ndërkombëtarë. Kushdo që e ka përdorur është kritikuar rëndë dhe në fund të fundit bilanci i zbatimit të saj ka qenë negativ për forcën politike. Ka shumë vetë që mendojnë të luajmë këtë kartë se Berisha ka qenë i suksesshëm. Nuk është e vërtetë. Berisha vetëm ka dështuar sa herë ka përdorur këtë kartë dhe ka fituar vetëm atëherë kur nuk e ka përdorur këtë kartë. Berisha fitoi në 2005 nga gabimet tona, por sepse u bë i besueshëm për ndërkombëtarët, që nga personazh bojkoti u transformua në një personazh, që kërkonte me ngulm dhe fitonte gjithçka kërkonte, duke marrë pjesë në Kuvend. Kujtoni insistimin e tij për reformën zgjedhore të vitit 2005 dhe suksesin e tij për të siguruar gjithçka kërkoi. Dhe në këtë moment Berisha i izoluar nga zbatimi i teknologjisë së bojkotit kaloi bile deri në anën tjetër duke realizuar hapjen gjithëpërfshirëse, ku ftoi të gjithë të larguarit që së bashku me qëndrestarët dhe të rinjtë krijoi frymën e besimit e të fitores në vitin 2005.
Bojkoti qoftë edhe i përkohshëm është përdorur edhe nga PS. Gjithnjë është kritikuar dhe në raportet e ndërkombëtarëve ka bërë edhe PSSH bashkëfajtore të klimës së tensionuar dhe të konfliktit politik. Dhe gjithnjë është shoqëruar me efekte e pasoja negative për PS. PS nuk ka nxjerrë asnjëherë përfitime nga bojkoti që shpesh për të thënë të drejtën ka qenë i diktuar nga qëndrimet agresive të PD. Shpesh është edhe rruga më e lehtë sepse të shpëton nga ballafaqimi i vështirë. Por mbi të gjitha ajo që quhet strategji e daljes nga bojkoti të nxjerr të turpëruar dhe me argumente të dobët si për hyrjen ashtu edhe për daljen nga bojkoti. Unë e kuptoj së në kuadrin në ndërtimit të alibive dhe ruajtjes se emocioneve të elektoratit të dëshpëruar nga humbja kërkohet të luhet kjo kartë por nuk e mirëkuptoj. Në Asamblenë Kombëtare Edi Rama siguroi se nuk do të ketë bojkot dhe kritikoi kundërshtarët, përse provokojnë me kërkesën e rezolutës së tyre “për distancim nga bojkoti” përderisa askush nuk e ka kërkuar një gjë të tillë. E kundërshtoj duke gjykuar se është e dëmshme për PS dhe po ashtu po ju them se të gjithë ndërkombëtarët e dinë që këtë kartë po e përdor PS thjesht për konsum të brendshëm pra, për të justifikuar rikandidimin e kryetarit. Dhe nuk do të ndodhte në asnjë rast që një radikalizim i qëndrimit të PSSH qoftë edhe me bojkot të pjesshëm do të ndikonte të përkeqësimin e raportit të OSBE/ODHIR për zgjedhjet, organizëm serioz dhe i pandikueshëm nga çdo lloj presioni, aq më pak lokal.
4. “...Si bëhen zgjedhjet e parakohshme...?”
Vendet me demokraci të zhvilluar gjithnjë e me shumë aplikojnë sisteme politike që respektojnë mandatet katërvjeçare përveç rastesh ku maxhorancat për arsye të ndryshme të brendshme apo të jashtme detyrohen apo kërkojnë vetë zgjedhje të parakohshme. Sistemi zgjedhor dhe ndryshimet e njëkohshme kushtetuese që u mbështetën dhe miratuan edhe nga PS janë konsideruar nga PS moderne dhe me perspektivë evropiane, sepse garantojnë qeverisje të qëndrueshme dhe opozitë solide në respekt njëkohësisht të mandateve katërvjeçar. Kjo do të thotë që përgjithësisht zgjedhjet e parakohshme përjashtohen dhe i vihet kapak praktikave kur që ditën e parë pas zgjedhjeve fillojnë kërkesat për zgjedhje të reja gjithmonë të shoqëruara me kontestimin e zgjedhjeve, mospranimin e rezultatit zgjedhor dhe definimin me legjitimitet të cunguar të institucioneve direkte apo të rrjedhura nga zgjedhjet.
Kjo është një praktikë e ndodhur shumë herë por jo e suksesshme në vendin tonë. Pse? Zgjedhjet e parakohshme kanë ndodhur vetëm dy herë pavarësisht se gjithnjë mandatet kuvendore janë shoqëruar gjatë katër vjetëve me kërkesa politike të opozitave për zgjedhje të parakohshme. Vetëm në 1991 drejt 1992 kur duhej të ndryshohej regjimi u realizuan për herë të parë zgjedhje të parakohshme të shoqëruara me manifestime dhe veprime të rrugës. Hera ë dytë ishte kalimi nga zgjedhjet e vitit 1996 në zgjedhjet e 1997 të shoqëruara më rënien e shtetit. Kolapsin e firmave piramidale e tjerë e tjerë. Dhe kjo është hera e fundit deri tani.
Natyrisht në kontekstin aktual për socialistët që janë të dëshpëruar nga dy qëndrime radhazi në opozitë kjo është një temë e vështirë. Shumica e socialistëve natyrshëm dëshirojnë zgjedhje të parakohshme, por pa e ditur sesi mund të realizoheshin, sepse PSSH nisur nga përfundimi që “nuk kemi humbur për shkak të vjedhjes së votës së lirë” iu ka thënë se do të realizojmë zgjedhje të parakohshme. Pa dashur të pengoj të gjithë taktikat dhe strategjitë për zgjedhje të parakohshme duhet shumë shpejt përgjigjur pyetjes së socialistëve “sesi do të bëhen dhe kur do të mund të bëhen zgjedhjet e parakohshme?” Duhet gjithashtu të kemi parasysh se sistemi politik (me ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit me 71 vota dhe mocionet e besimit e te mosbesimit për Kryeministrin) i vendosur nën drejtimin direkt të Edi Ramës nuk e favorizon kërkesën për zgjedhje të parakohshme bile nga këndvështrimi institucional e defavorizon. Mund të shtrohet pyetja nëse aleanca qeverisëse Berisha-Meta do të shkatërrohej nga presioni i opozitës për zgjedhje të parakohshme apo për shkak të këtij kërcënimi mundet që kjo aleancë e brishtë të konsolidohej. Dhe në çfarë raporti qëndrojnë këto dy opsione së paku deri në zgjedhjet e ardhshme vendore? Po kështu, shtrohet pyetja sa e mundshme është një krizë ekonomike që do ta kolapsonte sistemin politik qeverisës? Dhe në këtë rast cili do të ishte qëndrimi i institucioneve financiaro-ekonomike ndërkombëtare për të lejuar një vend anëtar të NATO dhe kandidat për në BE të kolapsonte ekonomikisht thjesht për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Po ashtu mund të shtrohej pyetja a është e mundur me manifestime dhe veprime të rrugës do të mund të realizoheshin zgjedhje të parakohshme? Pyetje tjetër do të ishte se çfarë do të sillte debati politik midis forcave politike, në kuvend apo media për manipulimin e zgjedhjeve dhe legjitimitetin e cunguar të institucioneve direkte apo të rrjedhura dhe çfarë duhet bërë që ky debat të mos kthehet në një debat tradicional të pafrytshëm në Kuvend? Kjo do të kërkonte një strategji të plotë e të qartë për realizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Në çdo rast duhet penguar që kjo kartë të shndërrohet në një përgjigje ndaj kërkesës së një militanti që thoshte se “ne e dimë që nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme por na gjeni një ilaç të ëndërrojmë”. Kjo nuk do të ishte serioze. E për rrjedhojë do të shtrohej në këtë rast pyetja: Nëse nuk realizohen siç premtohet zgjedhje të parakohshme si do të konsiderohej veprimi politik i PSSH, i suksesshëm apo i dështuar? Edhe kjo kartë deri tani duket më shumë një lëvizje alibike për të justifikuar rikandidimin dhe garantuar rizgjedhjen e kryetarit të PSSH gjë që mund të realizohej në një mënyrë shumë ndryshe dhe më efikase.
Në vend të përfundimit...
Ka dy opsione mesa shikoj që do të përcaktojnë rrjedhën e zhvillimeve në PSSH. Ose disa nga këto katër praktika do ta kenë jetën e shkurtër deri në zgjedhjen e kryetarit të PSSH ose ato do të jenë më afatmesme/afatgjata dhe në këtë rast do ta fusnin PS në shinat e një partie që do të perceptohet gjithnjë e më e vjetër, jo institucionale, jo e angazhuar në reformat madhore dhe akoma më keq në spiralen e humbjeve së pari në zgjedhjet lokale dhe më tej edhe të zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme. Nëse ndodh vetëm rruga e parë dëmtimi i imazhit të PSSH është i pjesshëm. Pyetja që shtrohet me të drejtë “a është kjo rruga efikase e një partie moderne e evropiane qoftë edhe përballë një “fitoreje të vjedhur” apo një “koalicioni maskarenjsh”?” Së paku, duhen diskutuar... dhe jo imponuar këto qëndrime sepse varet e ardhmja e PSSH. Dhe nuk kuptoj përse kjo analizë dhe ku debat nuk bëhet transparent për publikun që të mund të sigurojmë mbështetjen e tij për këtë çështje kaq madhore?