E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezoluta e PS, bojkot pa afat Kuvendit

 

Aristir Lumezi

PS do bojkotojë Kuvendin pa afat. Partia Socialiste rrëzon Rezolutën e Asamblesë Kombëtare përmes propozimit të delegatëve të Tropojës, ndërsa teksti i ri i rezolutës mbahet në fshehtësi dhe nuk bëhet publik. E gjithë kjo përmbysje ka ndodhur përmes propozimit të dorëzuar nga disa delegatë të Tropojës dhe Tiranës, të cilët rrëzuan thelbin e qëndrimit të PS-së ndaj Kuvendit. Propozimi i delegatëve, i cili u bë fuqiplotë dhe iu imponua delegatëve të kongresit, u bë qëndrim zyrtar i PS-së, e cila do të bojkotojë seancat e Kuvendit, me nisjen e punimeve në 7 shtator. Pasi i janë përfshirë Rezolutës së Asamblesë dhe propozimet e delegatëve, Rama sqaroi dje se çështja e bojkotit do t’i lihet institucioneve të tjera të PS, duke nënkuptuar grupin parlamentar dhe kryesinë socialiste, pasi Asambleja nuk ka më kompetencë të dalë mbi vendimin e saj. “Kongresi e ka lënë në dorën e institucioneve të tjera të partisë që të konsiderojnë raportin me parlamentin dhe momentin kur PS duhet të kthehet dhe nëse do të kthehet në parlament”, u shpreh dje Rama. Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, si kryetari i saj, Gramoz Ruçi, ashtu dhe kreu socialist Edi Rama, kundërshtuan grupin e anëtarëve të Asamblesë që kërkonin shmangjen e bojkotit nga ana e grupit parlamentar socialist. Sipas Ruçit dhe Ramës, PS asnjëherë nuk është shprehur se do të bojkotojë Kuvendin, ndërsa rezultatin e zgjedhjeve nuk do ta njohim. Deklarata e djeshme e Ramës hedh poshtë si qëndrimin e Ruçit në Asamble, ashtu dhe qëndrimin e tij kundër bojkotit. Madje, dje nga zyra e shtypit e PS-së, në orët e mbrëmjes, një email i shqetësuar sqaronte se kongresi ka miratuar vetëm Rezolutën e Asamblesë Kombëtare. “Sqarim!!! U miratua Rezoluta e A.K. në Kongresþ”, thuhet në email-in e informacionit të selisë rozë. Por përveç këtyre qëndrimeve kontradiktore brenda drejtuesve të PS-së, nga njëra ditë në tjetrën, ende as mediat, as delegatët e kongresit nuk kanë të qartë se çfarë teksti ka rezoluta e miratuar në kongresin e 29 gushtit, kur vëmendja e të gjithëve u fokusua “pa dashje” te debati rreth njohjes së përgjegjësive për humbjen e zgjedhjeve nga drejtuesit e PS-së. Duket se zgjedhjet në PS për kryetarin e saj, të cilat zhvillohen në 26 shtator, do të mbajnë peng qëndrimin e PS-së ndaj Kuvendit, pasi deri atëherë nuk do të jenë përcaktuar drejtuesit e grupit parlamentar, nënkryetari i Kuvendit apo kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare, zgjedhje të cilat presin të na japin surpriza në emra.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›