E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Kongresi i PS-së, Rama me gjuhën e Stalinit

 

Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi dje në lidhjet me sulmet e bëra nga kreu i PS-së, Edi Rama, në adresë të kësaj force politike. Zëdhënësi i LSI-së, Ralf Gjoni deklaroi se, “gjuha staliniste e Edi Ramës kundër të gjithëve, dhe në veçanti kundër LSI-së, na forcon bindjen në drejtësinë e vendimit tonë për të hyrë në koalicion me PD-në”. Sipas tij, “Edi Rama demonstroi në kongresin e Partisë Socialiste me fjalimin e tij skizofrenik fytyrën e qartë të një kryetari të papërgjegjshëm, të cilit i ka dështuar hesapi i tij personal dhe që nuk i digjet barku për Shqipërinë, shqiptarët dhe interesat e gjera të tyre”. “Në vend që t’u kërkonte falje të gjithëve për dëmet që i ka sjellë Kushtetutës, Kodit Zgjedhor dhe gjithë procesit demokratik të mbarëvajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme, Edi Rama zgjodhi gjuhën e dëshpërimit, të papërgjegjshmërisë kombëtare dhe të fabrikimit të alibisë së tij personale”, theksoi Gjoni. Ndërsa për idenë e bashkëpunimit me PS-në, Gjoni theksoi se, “pas krimit elektoral të orkestruar prej Ramës dhe strukturave kriminale nën diktatin e tij, tashmë është tepër vonë për Edi Ramën të kërkojë bashkëpunim me LSI-në. Ai kërkon të shkatërrojë dhe të krijojë kaos, ndërsa ne do të veprojmë në shërbim të interesave të gjera të qytetarëve shqiptarë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›