Alibeaj i kërkon KLD-së verifikimin e mandatit të Spahiut
Çështja “Delijorgji”, ministri: Spahiu ka tejkaluar kompetencat
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka kërkuar përpara Këshillit të Lartë të Drejtësisë ngritjen dhe raportimin e Komisionit të Verifikimit të Mandateve mbi ligjshmërinë e ushtrimit të detyrës të zëvendëskryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Shkak për këtë kërkesë rezulton të ketë qenë ndjeshmëria mediatike dhe komentet e vazhdueshme në shtyp ndaj çështjes së inspektuar “Delijorgji”, nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, protagonizmin për të cilin artikujt e ndryshëm të shtypit, ia ngarkojnë emrave të këtyre dy funksionarëve brenda Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas deklaratës së KLD-së, ministri i Drejtësisë, Alibeaj ka thënë se zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Kreshnik Spahiu, ka tejkaluar kompetencat dhe ka paragjykuar çështjen e një procedimi të mundshëm të tre gjyqtarëve ushtarakë që kanë deklaruar të pafajshëm Mihal Delijorgjin. Kjo kërkesë e ministrit, njëkohësisht edhe një prej anëtarëve të KLD-së, është bërë shkak që për disa orë të devijohet nga rendi i ditës dhe diskutimi të kanalizohet në kërkesën e parashtruar nga z. Alibeaj. Kërkesa e ministrit ka ardhur në mbarim të fjalës së Presidentit Topi, pikërisht kur pritej të fillohej me rendin e ditës, të përcaktuar një ditë më parë. Por Presidenti i Republikës, njëkohësisht edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, vendosi t’i japë prioritet në trajtim si pikë e parë e rendit të ditës, kërkesës së ministrit për verifikimin e rregullsisë së komunikimit në media të zëvendëskryetarit të KLD-së, duke kërkuar njëkohësisht ndaj organit kolegjial që ai drejton, qëndrim bashkëpunues dhe tolerancë profesionale. Sipas deklaratës së KLD-së, në mbledhje është diskutuar mbi antagonizmin e raporteve korrekte ndërinstitucionale dhe njëkohësisht perceptimin e deformuar publik të tyre; konkretisht procedura inspektuese ndaj gjyqtarëve ushtarakë të çështjes “Delijorgji”, e cila ka rezultuar të jetë në rregullsi të ecurisë së saj, ndërkohë që raportimi në media dhe perifrazimet publicistike nëpër artikuj, kanë transmetuar mesazhe shqetësuese dhe idenë e konfrontimit mes pushteteve. Kundrejt këtyre pretendimeve të ngritura nga ministri, nënkryetari Spahiu ka argumentuar prononcimin e tij brenda tagrave dhe limiteve të lejuara nga vetë pozicioni i posaçëm brenda strukturës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pasi është diskutuar për disa orë me radhë rreth pretendimeve të të dyja palëve, në përfundim të saj, KLD votoi në disfavor të pretendimit të ministrit të Drejtësisë, nisur nga dy argumente; mungesën e bazueshmërisë ligjore mbi verifikimin e ushtrimit të detyrës nga Komisioni i Verifikimit të Mandateve, dhe gjithashtu moskonsiderimin si shkelje të detyrës nga zëvendëskryetari i këtij këshilli, të atyre veprimeve të pretenduara nga ministri i Drejtësisë.
Mëneri
Shteti shqiptar po paguan faturë të lartë financiare për faj të gjykatave
Pjesë e punës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka qenë dje edhe seanca dëgjimore ndaj problematikave të konstatuara për veprimtarinë e gjykatave shqiptare nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Sipas agjentes qeveritare Suela Mëneri, e cila raportoi përpara organit qeverisës të gjyqësorit mbi nevojën e reflektimit ndaj disa çështjeve kundër Shqipërisë, për të cilat, sipas saj, tashmë shteti shqiptar është duke paguar një faturë të lartë financiare. Kjo të çon, sipas agjentes Mëneri, në faktin se duhet të ketë një reflektim ndaj punës së gjykatave shqiptare.
Vendimi
Në shtator, tetë vende për të vijuar Magjistraturën për gjyqtar
Këshilli i Lartë i Drejtësisë votoi dje mbi vazhdimësinë e trajnimit fillestar të Shkollës së Magjistraturës, në të cilën, në fillim të vitit të ardhshëm akademik do të kenë mundësinë për t’u përgatitur tetë kandidatë për magjistratë në profilin “gjyqtar”. Hapja e Magjistraturës për profilin gjyqtar hapet pas dy vitesh pezullim, pasi nuk kishte vende të lira për gjyqtarë në përfundim të tre viteve shkollë. Magjistratura qëndron e hapur, por vetëm për profilin “prokuror”.