Kërkonte ryshfet për operacionet, arrestohet kirurgu i QSUT-së
Dautaj rekomandonte pacientët të shkonin në klinikën private
Arrestimi, pas denoncimit të të sëmurëve për abuzimet
Duhet ta bënin hesap mirë, që t’i drejtoheshin kirurgut më të zot në QSUT, Kastriot Dautaj, pasi ky i fundit për një ndërhyrje në veshkë të kërkonte sa “frëngu pulën”. Plot 500 mijë lekë për një heqje a operacion tjetër, por që mesa duket se nuk i kishte bërë mirë hesapet me pacientët e tij. Abuzimet e tij nuk kanë vonuar të bien në veshët e policisë, derisa një ditë më parë, agjentët e kësaj të fundit e kanë zënë me “presh në duar”. Me detyrë kirurg në spitalin nr. 2 në repartin e Urologjisë pranë QSUT, Tiranë, si dhe pedagog në Fakultetin e Mjekësisë, 66-vjeçari Dautaj me banim në Tiranë është arrestuar me akuzën e korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojë funksione publike, e shpërdorim detyre dhe pastrimit të produkteve. Arrestimi i tij është konfirmuar një ditë më parë nga Policia e Shtetit, sipas së cilës, operacioni i koduar “Veshka e humbur” është finalizuar me sukses nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit, në bashkëpunim me Task-Forcën Kundër Krimit Financiar dhe Korrupsionit pranë Prokurorisë së Tiranës.
Hetimi i kësaj çështjeje kishte filluar disa muaj më parë, ku gjatë kësaj kohe janë vërtetuar shumë raste, ku kirurgu u merrte para pacientëve për çdo operacion që kryente. Policia tha se nga hetimet paraprake të kryera me metoda speciale të hetimit ka rezultuar se kirurgu Dautaj merrte shumën e 500 mijë lekëve kundrejt një operacioni në spitalin nr. 2.
Sakaq, nga të dhënat policore mësohet se shumë prej pacientëve që paraqiteshin në këtë spital, pasi kontaktonin këtë mjek, ai u sugjeronte të paraqiteshin në dy klinika private, në të cilat ishte i punësuar në punë të dytë, kundrejt përfitimeve të paligjshme.
Po kështu, mësohet se në momentin e arrestimit, Dautajt iu sekuestruan 500 mijë lekë, si dhe nga një llogari bankare në emër të tij u sekuestruan 420 mijë dollarë në një bankë të nivelit të dytë, të ardhura këto që dyshohen se kanë ardhur nga veprimet korruptive. Pas operacionit, Policia e Shtetit ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që të denoncojnë në polici rastet e korrupsionit përmes numrit telefonik 129, ose duke kontaktuar me shërbimet përkatëse pranë çdo drejtorie të policisë në qark.
Në bankë
Në llogarinë e kirurgut u gjetën 365 mijë dollarë
Llogaria bankare, në një prej bankave të nivelit të dytë me një shumë prej (268.247 USD) në emër të Dautajt, gjithashtu kjo shumë e bashkuar me atë të bashkëshortes së tij, që shkon në (365.819 USD), ka qenë pista kryesore e prokurorisë që ka zbuluar mjekun e QSUT-së, Kastriot Dautajn. Ky detaj u konfirmua dje nga zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme, Holta Zhiti, e cila pohoi se këto të ardhura mjeku i justifikonte se i merrte nga të ardhurat që merrte nga profesioni që ai ushtronte. Megjithatë, duket se dëshminë e tij nuk e kanë ngrënë hetuesit e “Task-Forcës”, të cilët nuk kanë qenë të bindur dhe nga ana e tyre kanë nisur hetimet në adresim të kirurgut urolog. Derisa, pedagogu i Fakultetit të Mjekësisë do të kapej në kushtet e flagrancës duke marrë një shumë prej 50.000 lekësh të reja pas kryerjes së një operacioni. Gjithashtu, lidhur me abuzimet që ka kryer mjeku, ka pasur edhe raste të tjera abuzive të kryera prej tij.