E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi: Angazhohem të balancoj institucionet



Kreu i KLD-së u kërkon anëtarëve respektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. “Qëndroni larg retorikave që çojnë në përplasje institucionale”

Presidenti i Republikës dhe në të njëjtën kohë edhe kreu i KLD-së ka përcjellë një mesazh në mbledhjen e djeshme, atë të angazhimit të plotë për një balancim institucional. Madje, duke u kërkuar edhe anëtarëve të këtij këshilli të respektojnë vendimet e autoriteteve më të larta gjyqësore, siç është Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë. Sipas z. Topi, mbledhja e radhës po zhvillohet në kohë procesesh e diskutimesh të shumta, që kanë përfshirë subjekte dhe institucione qendrore, të cilat kanë emërues të përbashkët sferën delikate të drejtësisë, konkretisht diskutimet për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë iu drejtua njerëzve të drejtësisë të qëndrojnë larg retorikave që çojnë në përplasje institucionale, duke u shprehur që “mos të lejojmë ndërvarjen mes institucioneve”. Më tej, kreu i shtetit ka përcjellë edhe një tjetër mesazh, atë që problemet politike të një shteti nuk duhet të infektojnë sistemin e drejtësisë. Në fjalën e tij përshëndetëse, kreu i KLD-së ka theksuar se “drejtësia bazohet në parime universale. Parimet vlejnë në çdo kohë dhe nuk lidhen me legjislatura apo mandate”. Duke nënvizuar nevojën e zbatimit të këtyre parimeve, si shprehje e nevojës për përmbushjen e angazhimeve që shteti ynë ka marrë 12 vjet më parë, kur anëtarësohej në Këshillin e Evropës, Presidenti Topi u shpreh se “historia e shoqërisë njerëzore ka treguar se suksesi i një shteti nuk qëndron në retorika dhe qëndrime personale”. Përkundrazi, vijoi ai, dialogu dhe kompromisi, ndërmjetësimi dhe mirëkuptimi janë pjesë e vizionit të demokracisë.

Porositë

Dy kanë qenë porositë e lëna dje në KLD nga kreu i saj, që të jepet shembulli i duhur në respektimin e vendimeve të autoriteteve të larta. Sipas kreut të shtetit, gjyqësori të rishikojë vendimet e këtij këshilli, sikurse janë Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese. “Fryma e punës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë duhet të zhvillojë konceptin e respektit institucional, e organeve gjyqësore që rishikojnë vendimet e këtij këshilli, në mënyrë që të mos vuajë më gabimet e së kaluarës dhe të mos i hapim rrugë gabimeve për të nesërmen”, - vijoi porositë e tij z. Topi, duke shtuar se “si gjyqtarë, në veprimtarinë tuaj të përditshme, ju respektoni vendimet e gjykatave më të larta, ndaj duhet të jeni të vëmendshëm jo vetëm për të respektuar vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, por edhe që kjo të ndodhë brenda parametrave kohorë të arsyeshëm”. Dhe, fjalën e tij kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë e ka mbyllur me atë që ishte përcaktuar si rend dite, zgjedhja e një gjyqtari për Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, ku u shpreh se “promovimi i gjyqtarëve të mos shihet i shkëputur nga investimi për një sistem gjyqësor karriere, që do të thotë se mundësitë për përgjegjësi më të mëdha në gjykim u jepen padyshim më të mirëve”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›