E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakersat e “Matriks 4”, 12 në burg, 5 fitojnë lirinë



Indrit Gjergjani dhe disa nga të arrestuarit pranojnë veprimet e kryera

Akuzohen për klonimin e kartave të kreditit “Visa” e “Master Card”

Togat e zeza të Gjykatës së Tiranës caktuan dje masat e sigurisë për 17 të arrestuarit e operacionit “Matriks 4”. Kështu, pasi janë parashtruar akuzat dhe roli i secilit prej të arrestuarve nga prokurori, si dhe është thënë fjala e fundit nga mbrojtja, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 12 anëtarët e grupit të vjedhjeve të transfertave bankare. Ndërkohë që për 5 të arrestuarit e tjerë, gjykata caktoi masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”. Lirinë e fituan shtetasit Besfort Puka, Seid Mollaj, Fatmir Borshi, Klodian Terroli dhe Fatmir Kolmarku, pasi akuza që rëndon mbi ta është ajo e “moskallëzimit të krimit”. Ndërkohë që për 12 të arrestuarit e tjerë, konkretisht Endrit Gjergjani, Kreshnik Luka, Ledjo Doko, Enea Çela, Endri Mezuraj, Rei Karapici, Redi Cekani, Blerim Abazi, Flamur Gashi, Indrid Abazi dhe një tjetër i mitur A.B. mbetën me masën “arrest me burg”. Sipas burimeve nga gjykata, pjesa më e madhe e të arrestuarve ka pranuar njohjen dhe veprimet e kryera me njëri-tjetrin, ndërsa pjesa tjetër është shprehur se nuk kanë pasur dijeni mbi veprimet e shokëve të tyre, duke u shprehur se kanë pasur vetëm lidhje shoqërore. Po të njëjtat burime janë shprehur se mes personave që kanë dhënë shpjegime ka qenë edhe vetë i cilësuari si kreu i grupit, Indrit Gjergjani, i cili madje ka rrëfyer edhe personat me të cilët e ka zhvilluar këtë aktivitet. Gjatë seancës së masës së sigurisë, përgjithësisht, sipas burimeve, kanë folur avokatët e tyre, të cilët kërkuan masa më të buta për klientët e tyre. Në përfundim të seancës, e cila zgjati disa orë, togat e zeza caktuan masën e sigurisë “arrest me burg” për 12 nga të akuzuarit, ndërkohë që për 5 prej tyre u dha masa “detyrim paraqitje”. Hakersat janë arrestuar katër ditë më parë, pasi akuzohen se klonuan kartat e kreditit “Visa” dhe “Master Card”, duke shkaktuar vjedhjen në rreth 400 degë bankare, konkretisht rreth 2 milionë euro. Të paktën deri tani numërohen 400 raste, nga të cilat 272 në Tiranë dhe 128 në qytetet Durrës, Fier, Vlorë, Kavajë etj., ku vidheshin llogaritë bankare të shtetasve të huaj, rezidentë në shtetet perëndimore. Grupi i studentit të Juridikut, Endrit Gjergjani, u arrestua falë një superoperacioni të skuadrës së Antikrimit Ekonomiko-Financiar të policisë së Tiranës dhe Task-Forcës së Prokurorisë së Tiranës. Ndaj tyre janë ngritur akuzat “vjedhje e bankave dhe arkave të kursimit”, “sigurim të mjeteve për vjedhje” dhe “falsifikim të letrave me vlerë”, të kryera këto në bashkëpunim.

Lirohen

Besfort Puka

Seid Mollaj

Fatmir Borshi

Klodian Terroli

Fatmir Kolmarku

“Arrest me burg”

Endrit Gjergjani

Anil Gjergjani

Kreshnik Luka

Ledjo Doko

Enea Çela

Endri Mezuraj

Rei Karapici

Redi Cekani

Blerim Abazi

Flamur Gashi

Indrid Abazi

A.B.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›