Gjendet pas 2 muajsh e mitura nga Elbasani, tentoi të kalonte në Greqi
Elbasan - Një 15-vjeçare e shpallur në kërkim nga Policia prej dy muajsh, u gjet një natë më parë, teksa po tentonte të kalonte doganën e Kapshticës. Burime të policisë bëjnë të ditur për ATSH-në, se: “në orët e vona të një nate më parë është gjetur 15-vjeçarja me iniciale J. N., e cila figuronte e humbur që prej dy muajsh”. E mitura u largua nga banesa e saj në qytetin e Elbasanit më datë 17 shkurt të këtij viti dhe prej asaj dite, familjarët nuk kishin marrë asnjë sinjal për vendndodhjen e vajzës. Pasi kanë kërkuar te shoqet e vajzës dhe te të afërmit e tyre, familjarët kërkuan ndihmën e policisë. Familjarët e 15-vjeçares denoncuan në polici zhdukjen e të miturës, duke deklaruar se ajo ishte larguar nga banesa dhe nuk ishte kthyer më. Policia e Elbasanit nisi menjëherë hetimet për të lokalizuar vendndodhjen e të miturës. Kështu pas rreth dy muaj kërkimesh, 15-vjeçarja është gjetur ditën e djeshme në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës në tentativë për tu larguar drejt Greqisë.
Policia nuk bën me dije personat që shoqëronin vajzës, për shkak të hetimeve. Burimet policore thanë se po punohet për të zbardhur vendstrehimin e të miturës që nga dita kur ajo është larguar dhe identifikimin e personave që shoqëronin 15-vjeçaren. Kjo e fundit iu dorëzua familjarëve vetëm pak orë pasi dëshmoi në polici rrethanat e largimit të saj të cilat për momentin nuk bëhen të ditura nga policia.
24 Prill 2009