Alibeaj kërkon ashpërsimin e ndëshkimeve për avokatët
Laureta Rryçi
Tiranë - Ndryshojnë rregullat për ndëshkimin e avokatëve. Ministria e Drejtësisë përpilon projektligj për disa ndryshime në ligjin e avokatisë. Forcohen masat ndëshkimore ndaj avokatëve, për të cilët do të ketë ankesa për abuzim me detyrën. Projektligji është dorëzuar dje në Kryeministri dhe ka marrë miratimin e qeverisë për të kaluar për diskutim në Komisionin e Çështjeve Ligjore. Burime pranë Ministrisë së Drejtësisë shpjeguan dje se u janë dhënë më tepër rëndësi shkeljeve që presupozohet se bëjnë avokatët dhe masave ndëshkimore për ta.
Ndryshimet
Sipas projektligjit Ankesat/kërkesat ndaj çdo sjellje ose veprim te avokatit i drejtohen kryetarit të dhomës së avokatisë. Kryetari i dhomës së avokatisë ia përcjell ankesën/kërkesën Komisionit të Verifikimit të Ankimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë brenda 5 ditëve kalendarike nga dita e dorëzimit.
Ankesat/kërkesat kundër avokatit mund të paraqiten nga: çdo person që mbrohet, përfaqësohet ose ndihmohet juridikisht prej tij; çdo person i tretë që pretendon se është dëmtuar nga sjellja apo veprimet e avokatit; organet drejtuese të dhomave të avokatisë; gjyqtarët dhe prokurorët; Ministri i Drejtësisë si dhe çdo organ tjetër shtetëror i parashikuar me ligj. Avokati i nënshtrohet procedimit disiplinor kur: ka vepruar në kundërshtim me parashikimet e dispozitave ligjore që rregullojnë veprimtarinë e avokatit dhe legjislacioni tatimor si dhe ka vepruar në kundërshtim me rregullat e parashikuara në Kodin e Etikës së Avokatit dhe me rregullat e tjera të përcaktuara nga Dhoma Kombëtarë e avokatisë dhe Dhomat e Avokatisë.
Shqyrtimi
Për shqyrtimin e kërkesave/ankesave për procedim disiplinor ndaj avokatëve do të krijohet Komisioni i Verifikimit të Ankimit i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, me avokatë të zgjedhur me short nga lista e përfaqësuesve me këtë përbërje: Dhoma e Avokatisë Tiranë me 3 (tre) përfaqësues; Dhomat e tjera të avokatisë me nga 1 (një) përfaqësues secila. Për shqyrtimin e Ankesës/Kërkesës për procedimin disiplinor ndaj një avokati të caktuar, Komisioni i Verifikimit të Ankimit i Dhomës Kombëtare të Avokatisë zgjedh nënkomisionin e Verifikimit Ankimit me përbërjen si vijon: Kryetari i Komisionit të Verifikimit të Ankimit në cilësinë e kryetarit të nënkomisionit të verifikimit të ankimit; dy avokatë të zgjedhur me short nga anëtarët e Komisionit të Verifikimit të Ankimit i Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe një avokat që përfaqëson Dhomën e Avokatisë nga ka ardhur ankimi, ne cilësinë e anëtarëve. Kryetari i Komisionit të Verifikimit të Ankimit zgjidhet nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Rregulla të hollësishme për procedurën e zgjedhjes dhe funksionimit te Komisionit të Verifikimit të Ankimit, zgjedhjen Kryetarit te Komisionit të Verifikimit të Ankimit, përcaktohen ne Rregulloren e zgjedhjes dhe funksionimit të Komisionit të Verifikimit të Ankimit i Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Ndëshkimi
Procedimi disiplinor përbëhet nga fazat e verifikimit, refuzimit apo kalimit në gjykim të kërkesës/ankesës dhe e gjykimit.
Procedimi disiplinor fillon me paraqitjen e kërkesës/ankesës nga subjektet e treguara në nenin 37 të këtij ligji. Brenda 15 ditëve nga depozitimi i kërkesës/ankesës, Kryetari i Komisionit të Verifikimit të Ankimit cakton përbërjen e Nënkomisionit të Verifikimit të Ankimit. Avokati ndaj të cilit është paraqitur ankesa/kërkesa duhet të paraqesë me shkrim pretendimet e tij në lidhje me ankesën/kërkesën brenda 15 ditëve nga marrja e njoftimit. Mosparaqitja e pretendimeve nga avokati para Nënkomisionit të Verifikimit të Ankimit nuk përbën shkak për mosvazhdimin e procedimit disiplinor. Afatet procedurale të verifikimit të ankesës/kërkesës fillojnë nga data e mbërritjes së saj në Komisionin e Verifikimit të Ankimit. Komisioni i Verifikimit të Ankimit merr vendim brenda 60 ditëve nga dita e marrjes së ankesës/kërkesës Për çështje të cilat kërkojnë hetime të posaçme e të specializuara, ky afat mund të zgjatet edhe 30 ditë të tjera. Nënkomisioni i Verifikimit të Ankimit pasi bën verifikimet e nevojshme, dëgjon pretendimet e palëve dhe sipas rastit vendos fillimin e procedimit disiplinor kundër avokatit ose refuzimin e fillimit të procedimit. Vendimi i Nënkomisionit të Verifikimit të Ankimit për refuzimin e ankimit mund të ankimohet në Komitetin Disiplinor të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, brenda 10 ditëve nga subjekti që ka paraqitur ankesën/kërkesën. Vendimi i Komitetit Disiplinor të Dhomës Kombëtare të Avokatisë është i paankimueshëm nga subjekti që paraqet ankesën/kërkesën. Kur Nënkomisioni i Verifikimit të Ankimit e kalon çështjen për gjykim, vendimi i është i pakundërshtueshëm nga pikëpamja procedurale në Komitetin Disiplinor të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Kur çështja kalon për gjykim, Kryetari i Komisioni i Verifikimit të Ankimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë përfaqëson çështjen përpara Komitetit Disiplinor të Dhomës Kombëtare të Avokatisë në cilësinë e palës.
Kur avokati rezulton të jetë fajtor
Kur Komiteti Disiplinor i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, në përfundim të shqyrtimit të ankesës/kërkesës, e deklaron avokatin fajtor, përveç masave të parashikuara në nenin 43 të këtij ligji, mund t’i kërkojë që: të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, në mënyrë që të zgjidhë problemin në fjalë; të kompensojë dëmin e shkaktuar kërkuesit/ankuesit apo palëve te tjera të dëmtuara nga veprimet e tij, në masën që çmohet e drejtë nga rrethanat që rezultojnë nga shqyrtimi i ankesës/kërkesës;të urdhërojë avokatin e deklaruar fajtor, që të paguajë shpenzimet e palëve të tjera dhe të Dhomës Kombëtare të Avokatisë për përballimin e çështjes disiplinore në fjalë. Komiteti Disiplinor i Dhomës Kombëtarë të Avokatisë gjykon çështjen brenda 30 ditëve nga dita e regjistrimit të materialit për ankim. Komiteti Disiplinor i Dhomës Kombëtarë të Avokatisë, me kërkesë të njërës prej palëve, mund të shtyjë për shkaqe të përligjura afatin e gjykimit, por jo më shumë se 30 ditë nga dita e caktimit të gjykimit. Vendimi i Komiteti Disiplinor i Dhomës Kombëtarë të Avokatisë duhet te jete i arsyetuar dhe u njoftohet palëve brenda 3 ditëve nga përfundimit i gjykimit. Vendimi i Komitetit Disiplinor i Dhomës Kombëtarë të Avokatisë mund të ankimohet nga pala ankuese/kërkuese ose avokati në Gjykatën e Apelit Tiranë, brenda 15 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit. Në rast mosveprimi të Dhomës Kombëtare të Avokatisë brenda afateve të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, Ministri i Drejtësisë ka të drejtë të paraqesë në Gjykatën e Apelit Tiranë kërkesën për marrjen e masës disiplinore. Ministri i Drejtësisë ka të drejtë të ankimojë në Gjykatën e Apelit vendimin e Komitetit Disiplinor të Dhomës Kombëtare të Avokatisë për dhënien e masës disiplinore ndaj avokatit, edhe kur ai nuk është subjekti që ka paraqitur kërkesën/ankesën, në rast se masa disiplinore është me e lehte në raport me shkeljen e kryer.
Rregullat e reja për masat disiplinore
1. Masat disiplinore jepen sipas një procedure e cila garanton të drejtën për t’u informuar, për të kërkuar sqarime rreth fakteve, për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur.
2. Palët ne procedimin disiplinor kane te drejte te paraqiten dhe te shpjegohen ne seance vete ose nëpërmjet mbrojtjes dhe përfaqësimit me avokat. Në qoftë se njëra ose te dyja palët nuk paraqiten në seancë pa motive të arsyeshme, Komiteti Disiplinor i Dhomës Kombëtare të Avokatisë shqyrton çështjen dhe merr vendim në mungesë të tyre.
3. Gjatë procedurës ankimore, komisioni disiplinor mund të dëgjojë shpjegime nga palët dhe dëshmitarët e tyre.
4. Shpjegimet e palëve dhe dëshmitë në seancë mund të jepen me gojë ose me shkrim.
5 Komiteti Disiplinor i Dhomës Kombëtare Avokatisë pranon dëshmitë dhe dokumentet e paraqitura para tij me cilësinë e provës, dhe i çmon ato sipas bindjes se formuar pas shqyrtimit të tyre në tërësi.
6. Masat disiplinore jepen brenda 3 muajve nga data e konstatimit të shkeljes, por jo më vonë se 5 vjet nga momenti i kryerjes së saj.
2 Tetor 2008