Qeveria shtyn për dy vjet afatin e zbatimit të MSA-së
Këshilli i Ministrave ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme që të shtyjë afatin e zbatimit të planit kombëtar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Plani kombëtar për zbatimin e MSA-së ishte parashikuar në një vendim të qeverisë dy vite më parë që të zbatohej deri në vitin 2012. Por me vendimin e djeshëm Këshilli i Ministrave vendosi që ky plan kombëtar të zbatohet deri në vitin 2014. Duket se nëpërmjet këtij vendimi qeveria shtyn dhe dy vite të tjera procesin e përgatitjes së vendit për t’u integruar në Bashkimin Europian. “Në titull periudha ‘2007-2012’ zëvendësohet me ‘2008-2014’. Miratimin e planit kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, 2008-2014, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi”,- shkruhet në vendimin e qeverisë. Megjithëse nuk jepet shumë informacion duket qartë se është shtyrë afati i zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Në një moment kur pritet që Shqipëria të aplikojë për të fituar statusin e vendit kandidat për t’u integruar në BE, e cila është një hap përpara, duket se qeveria po bën hapa mbrapa nëpërmjet këtij vendimi që shtyn afatin e zbatimit të MSA-së. Më tej vendimi i qeverisë, në pikën tre të tij, parashikon që ministritë dhe institucionet e tjera qendrore të raportojnë pranë Ministrisë së Integrimit për detyrimet që rrjedhin nga zbatimi i MSA-së. “Ministritë dhe institucionet e tjera qendrore raportojnë pranë Ministrisë së Integrimit, në fillim të çdo muaji, për realizimin e detyrimeve, që rrjedhin nga plani kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, sipas metodologjisë që hartohet nga kjo ministri. Grupi ndërministror i punës për shqyrtimin, mbikëqyrjen dhe bashkërendimin e punës për zbatimin e angazhimeve të marra, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, vlerëson dhe analizon, periodikisht, zbatimin e këtij plani”, -shkruhet në vendimin e qeverisë.
2 Tetor 2008