Privatizimi, “CEZ” do të shlyejë borxhet afatgjata të OSSH-së
Kompania çeke “CEZ” pranoi kushtet e vendosura nga qeveria shqiptare për pagimin e borxheve afatgjata të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Bëhet fjalë për një shumë prej 15.6 miliardë lekësh që është marrë borxh nga qeveria në formën e kredive kryesisht për investime në rrjetin shpërndarës të energjisë, të cilin tashmë duhet ta grumbullojë “CEZ”. Kjo kompani pranoi kushtin për uljen e nivelit të humbjeve sipas objektivave të vendosura nga qeveria. Kompania “CEZ” është kualifikuar e vetme në tenderin për privatizimin e OSSH-së. Burime zyrtare nga ministria e Ekonomisë bëjnë të ditur se kompania “CEZ” ka pranuar edhe kushtin tjetër të qeverisë, atë të reduktimit të humbjeve në 32 për qind deri në fund të këtij viti dhe në 15 për qind, deri në fund të vitit 2014. IFC-ja, kompania konsulente e qeverisë për privatizimin e OSSH-së, e konsideroi çmimin e ofruar nga kompania “CEZ”, si një ofertë që ka kaluar parashikimet. Përfaqësuesi i IFC-së, Angelo Dell'Ati, bëri të ditur se, “CEZ ka pranuar të paguajë të gjithë borxhin afatgjatë që i është alokuar OSSH-së, nga huat afatgjata që qeveria shqiptare ka marrë për sektorin e energjisë. Vlera e këtij borxhi sipas bilancit të audituar nga OSSH-ë, për vitin 2007 është 15.6 miliard lekë”. Zëvendësministri i Ekonomisë, Neritan Alibali, u shpreh se ecuria e deritanishme e procesit të privatizimit të OSSH-së, është transparente dhe e drejtë e kryer sipas praktikave ndërkombëtare. Investimet minimale që priten të gjenerohen nga ky transaksion vlerësohen të jenë rreth 200 milion Euro gjatë 5 viteve të para të operimit dhe duke u bazuar në targetat e humbjes në shpërndarje, të cilat “CEZ”-i në ofertën teknike të tyre pranoi të arrijë. Angelo Dell'Ati, theksoi se, “privatizimi i OSSH-së përfshin vetëm asetet e Operatorit, pra do të administrojë rrjetin e shpërndarjes, nënstacionet, ndërsa pjesa e prodhimit të energjisë mbeten në pronësi të shtetit”. Pas dorëzimit në qeveri të raportit të plotë të këtij privatizimi nga komisioni i Vlerësimit të Ofertave, do të jetë Këshilli i Ministrave që do të bëjë shpalljen e fituesit të tenderit.
2 Tetor 2008