Hetimet për vdekjen e Trebickës, vonon ekspertiza e amerikanit Teter
Grupi i ekspertëve që po heton rreth vdekjes së biznesmenit Kosta Trebicka ka pezulluar prej disa ditësh punën, në pritje të përgjigjes së ekspertit amerikan, Kevin Teter. Burime nga Prokuroria e Korçës bëjnë të ditur se përgjigjja e ekspertizës së makinës, me të cilën pohohet se vdiq në aksident Trebicka, duhej të kishte mbërritur që javën që shkoi. Ndonëse gjendja teknike e mjetit rezultoi pa probleme në sistemin e drejtimit e të frenimit, gjatë këqyrjes së bërë nga eksperti amerikan dhjetë ditë më parë ende nuk është kthyer një përgjigje përfundimtare nga përtej oqeani. Vazhdojnë të mbeten mister rrethanat e ndodhjes së aksidentit në fshatin Lekas të Voskopojës. Ndërkohë, Policia dhe Prokuroria e Korçës kanë dalë me një konkluzion paraprak: Kosta Trebicka humbi jetën në aksident. Nga një përllogaritje paraprake rezultoi se makina me të cilën udhëtonte 52-vjeçari gjatë mesditës të 12 shtatorit, lëvizte me më pak se 40 kilometra në orë. Por ky detaj i dosjes voluminoze ngre dyshime rreth faktit se biznesmeni vdiq thjesht si pasojë e një aksidenti të rëndomtë automobilistik. Sipas burimeve nga Prokuroria e Korçës, vonesa e përgjigjes nga eksperti amerikan ka futur në kolaps të plotë hetimet rreth kësaj ngjarjeje. Sipas hetuesve të çështjes, raporti i hollësishëm që pritet të mbërrijë këto ditë nga Amerika, do t’u japë fund dilemave, dyshimeve nëse Kosta Trebicka humbi jetën në aksident, apo u vra.
2 Tetor 2008