E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedh benzin në Durrës, kapet në Elbasan



DURRËS – Bëmat e Lumpen Markeljanit nuk kanë të sosur. Tre ditë më parë, superhajduti 11-vjeçar nga Mirdita, ka kryer vjedhjen e radhës, por kësaj radhe ai nuk ka futur dorën në xhep apo nuk ka bastisur ndonjë dhomë hoteli. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se shtetasi O. M., nga Shijaku ka denoncuar zhdukjen e mjetit të tij tip benz E 220 CDI, me targa TR 2317 R. Menjëherë pas denoncimit, kanë nisur hetimet të cilat kanë përfunduar në mbi 50 kilometra larg me kapjen e personit më problematik për forcat e rendit gjatë kësaj vere, policia ka identifikuar mjetin dhe më pas ka ndaluar Markeljanin, i cili ishte nisur drejt Elbasanit.
Denoncimi
Sikur të mos mjaftonin mbi 41 denoncime për vjedhje, Markeljan C., lindur në Mirditë dhe banues në Allias të Tiranës, ka kryer një tjetër grabitje spektakolare. “Më 29 shtator u kryen veprimet e para hetimore lidhur me vjedhjen e automjetit tip Benz E 220 CDI, me targa TR 2317 R, pronë e shtetasit O.M., banues në Shijak”, - bëjnë të ditur burimet zyrtare. Menjëherë pas ngjarjes u organizua puna në bashkëpunim edhe me Policinë Rrugore të qarqeve të tjera në drejtim të konstatimit të mjetit. Shërbimet e Policisë Rrugore Tiranë kanë konstatuar lëvizjen e këtij mjeti në drejtim të Elbasanit. Zëdhënësja e Policisë së Qarkut të Durrësit bën të ditur se “në fshatin Shijon të rrethit të Elbasanit është bere e mundur kapja e mjetit i cili drejtohej nga shtetasi M. C.” Lidhur me ngjarjen në fjalë u kryen veprimet e para hetimore për veprën penale të vjedhjes dhe materialet iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
Tmerri i verës
Markeljani është kthyer në tmerr për pushuesit gjatë gjithë verës. Ai ka kryer me dhjetëra vjedhje në qytetin bregdetar, ku “viktima” të tij kanë qenë pushues nga zona të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Së fundi, ai grabiti në dhomën e hotelit ku qëndronte një shqiptar nga Maqedonia me banim në SHBA, 9 mijë euro. Pas verifikimeve rezultoi autor Markeljani i kudogjendur për veprime të tilla. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se ai ka kryer më shumë se 42 vjedhje në Tiranë, Durrës, Elbasan, Gjirokastër dhe rrethe të tjera, por ai nuk është arrestuar për shkak të moshës së mitur. Po ashtu, për mungesë të qendrave të trajtimit të fëmijëve që kryejnë vepra të tilla penale, ai i gëzohet lirisë, duke kryer sërish vjedhje të tjera.

2 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›