E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti faktik 2007 përplas në komision Ministrinë e Financave me KLSH-në



Ervin Koçi

Ministrit të Financave, Ridvan Bode, i janë “djegur” dje shifrat në dorë gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë mbi të ardhurat dhe realizimet në buxhetin faktik të vitit 2007. Sipas ministrit Bode, investimet janë realizuar në masën 96 për qind, në një kohë që sipas kreut të KLSH-së, këto të dhëna nuk ishin të sakta pasi dëmi ndaj buxhetit 2007 kapte vlerën e lartë prej 876.2 milionë lekësh. Këto ishin kryesisht nga shkeljet e ndryshme të bëra nëpër institucionet qendrore të shtetit, si dhe nga mosrealizimi i investimeve dhe abuzimet në tenderat e ndryshëm, kryesisht në infrastrukturë. Këto raportime kontradiktore kanë shkaktuar debate të ashpra dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ku raportit të KLSH-së i janë bashkangjitur edhe rezervat e opozitës në lidhje me realizimin e buxhetit faktit të 2007-s. Sipas kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Çeku, “shkeljet administrative i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit për vitin 2007 një dëm prej 876.2 milionë lekësh”. Ai ka theksuar më tej se problem është borxhi tatimor dhe ai doganor, i cili arrin në vlerën e 58.2 miliardë lekëve. Duke iu referuar raportit të KLSH-së, 79 për qind e borxhit vjen nga tatimet. Po kështu, KLSH vëren se në 63 për qind të tenderave që janë zhvilluar në vitin 2007 janë konstatuar shkelje. Por në raportin e tij, Ministri i Financave, Bode, deklaroi se rritja ekonomike në 2007 është mbi 6 për qind dhe të ardhurat janë realizuar në masën 96 për qind. Bode cilësoi si problem vetëm realizimin e të ardhurave nga pushteti vendor, si dhe realizimin e investimeve me fondet e huaja. Shifrat janë kundërshtuar nga opozita. Në oponencën e tij deputeti socialist Arben Malaj, ish-ministër i Financave, në kohën e qeverisjes socialiste, u shpreh kundër realizimit të buxhetit faktik të vitit 2007. Sipas Malajt, “ritmet e rritjes së të ardhurave gjatë këtij viti janë ndaluar dhe se nuk janë plotësuar objektivat e qeverisë për vitin 2007”.

Institucionet që abuzuan

Në krye të institucioneve shtetërore që kanë shkelur afatin ligjor për depozitimin e pasqyrave financiare qëndrojnë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Kjo, sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2007, ku janë plot 13 institucione shtetërore që kanë shkelur afatin, duke depozituar me vonesë pranë Drejtorisë së Kontabilitetit pasqyrat financiare për vitin e kaluar. Ajo çka bie më shumë në sy në listën e gjatë të “shkelësve”, është renditja në vendin e parë e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, pasi kjo e fundit nuk e ka dorëzuar bilancin kontabël deri në kohën e mbylljes së kontrollit nga KLSH-ja. Sipas burimeve nga KLSH-ë, “deri tani nga Drejtoria e Kontabilitetit për shkeljet e këtyre afateve nuk janë aplikuar sanksione për personat përgjegjës sipas pikës 10, “Për mosdepozitim në afat”. Po kështu, për personat përgjegjës nuk janë respektuar sanksionet e parashikuara në ligjin për kontabilitetin, për buxhetin, në kodin e punës dhe ligjin për statusin e nëpunësit civil.

Informacioni i pasaktë

Në vlerësimin e cilësisë së informacionit kontabël të depozituar në Ministrinë e Financave nga ministritë dhe institucionet qendrore, rezulton se mjaft institucione të kategorisë së sipërpërmendur kanë mjaft mangësi në mbajtjen e llogarive, kryesisht mosakordime të llogarive të ndryshme, llogari të pambyllura etj. Madje, në pasqyrat financiare të këtyre institucioneve ekzistojnë llogari ku nuk tregohet se çfarë përfaqësojnë. Por vonesat në mosrespektimin e afatit për dorëzimin e pasqyrave financiare janë të papërfillshme krahasuar me skandalet e gjetura gjatë kontrollit të këtyre pasqyrave në disa ministri apo drejtori vartëse, ku ka munguar destinacioni i fondeve të projekteve, si dhe nxjerrja e shumave të konsiderueshme nga dikasteret shtetërore pa përcaktuar marrësin. Të tillë raste rezultojnë ekzistentë në pasqyrat financiare të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Punëve Publike, si dhe në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Si rezultat i moskontrollit dhe i mospërpunimit të informacionit të pasqyrave financiare të depozituara nga ministritë, institucionet qendrore, njësitë e menaxhim-zbatimit të projekteve me financim të huaj, në Drejtorinë e Borxhit dhe mos-hartimin e përmbledhësve nga Degët e Thesarit në rrethe, Drejtoria e Kontabilitetit nuk ka hartuar raportin përmbledhës të konsoliduar në vitin 2007. Kështu, nga Drejtoria e Kontabilitetit në Ministrinë e Financave nuk është ndëshkuar asnjë person përgjegjës për shkeljet e afateve financiare të vendosura me ligj.

BOX////////////////////////////
Ministritë me shumë shkelje dhe abuzime

Sipas raportit të KLSH-së për vitin 2007, dy prej ministrive të cilat janë konstatuar me më tepër shkelje janë Ministria e Brendshme dhe ajo e Punëve Publike. Në Ministrinë e Brendshme, në numrin e llogarisë bankare 4342, sipas raportit “janë të tjera operacione që paraqiten me shtetin debitor”, ku paraqitet shuma prej afro 576 milionë lekësh pa shpjeguar natyrën e krijimit të këtyre detyrimeve. Po kështu edhe në llogarinë me nr. 4341, paraqitet në bilanc shuma e afro 523 milionë lekëve, si detyrim ndaj buxhetit të shtetit dhe nuk komentohet çfarë pasqyron konkretisht kjo e dhënë. Ndërkohë shkeljet që janë konstatuar në Ministrinë e Punëve Publike janë: 1) Nuk dihet sa reale janë shifrat e përllogaritura në llogaritë bankare, pasi gjendjet nëpër poste janë përmbledhëse dhe nuk japin pasqyrë analitike të investimeve dhe se cilat vepra veç e veç janë kryer në këto fonde. 2) Gjithashtu, llogaritë nuk janë të shoqëruara me ekstrakte bankare fillestare dhe përfundimtare apo një ditar lëvizjesh nga banka për të verifikuar vërtetësinë e gjendjes së llogarisë 512, “Llogari në bankë”, pasi këto projekte trashëgojnë nga viti në vit gjendje në llogaritë e tyre bankare.

Dikasteret që kanë shkelur afatin e dorëzimit të bilanceve kontabël:
1. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve
2. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave
3. Ministria e Shëndetësisë
4. Ministria e Brendshme
5. Shërbimi Informativ Shtetëror
6. Drejtoria e Rezervave të Shtetit
7. Akademia e Shkencave
8. Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale
9. Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave
10. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe e Telekomunikacionit
11. Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë
12. Avokati i Prokurimeve dhe Avokati i Shtetit
13. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve

Institucionet që paraqitën cilësi të ulët të informacionit kontabël:

1. Ministria e Punëve të Jashtme
2. Ministria e Mbrojtjes
3. Ministria e Drejtësisë
4. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
5. Drejtoria e Metrologji-Kalibrimit
6. Këshilli Kombëtar i Radiotelevizionit
7. Agjencia Telegrafike Shqiptare
8. Instituti i të Përndjekurve Politikë
9. Avokatura e Shtetit

2 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›