Alibeaj kërkon bashkëpunim institucional për garantimin e të drejtave të të dënuarve

Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj kërkoi dje forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore për identifikimin e problemeve që hasen në sistemin penitenciar në Shqipëri dhe kapërcimin e tyre përmes zgjidhjeve ligjore. Një kërkesë të tillë Ministri Alibeaj e bëri gjatë një takimi të organizuar dje në Ministrinë e Drejtësisë, me iniciativë të Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani, objekt diskutimi I të cilit ishte përmirësimi i punës së strukturave shtetërore në drejtim të garantimit të të drejtave të njerëzve të privuar nga liria. “Trajtimi i të dënuarve nuk është argument që ndan institucionet në llogoret e tyre, por bashkim i të gjitha vullneteve të mira për të arrirë standardet e kërkuara”, tha ministri Alibeaj.
Duke e parë këtë sistem si pjesë të rëndësishme të Shtetit, ministri tha se dënimi nuk duhet të jetë ndëshkim, por masë ndëshkuese dhe mjet për riintegrimin e personave të privuar nga liria. Duke iu referuar punës së bërë për përmirësimin e trajtimit të të dënuarve dhe të paraburgosurve, ministri vuri në dukje iniciativat ligjore të ndërmarra nga dikasteri që drejton, nismat për ndërtimin e burgjeve apo paraburgimeve të reja, etj.
Nga ana e saj, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, u përqendrua në aspektet teknike si problemet që hasen me zvarritjen e ekzekutimeve penale të formës së prerë, procedurat e gjykimit në mungesë, shuarjen e masave të sigurisë për të pandehurit, etj.
Kryeprokurorja Rama kërkoi më tepër seriozitet nga Gjykatat në njoftimet për të dënuarit, pasi, sipas saj, “Gjykata nuk njofton për pushimin e çështjeve, ndaj kjo ka bërë që shumë të dënuar me burg të mbeten në qeli jashtë afateve të dhëna nga gjykata”.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, u ndal në zgjatjen të hetimeve nga prokuroria, jashtë afateve të parashikuara në ligj. Sipas tij, kohëzgjatja e hetimeve, shkel ligjin për të dënuarit.
Ndërkohë Dibra ka shprehur edhe shqetësimin për mbipopullimin e burgjeve, të cilat janë jashtë çdo kapaciteti të mundshëm. Gjatë takimit ekspertë të fushës diskutuan për raste konkrete më problematike.
......